I ftuari i parë në këtë sezon të ri të programit “Dola te Ola” ishte Aleksandër Gjoka, i cili ashtu si gjithë të ftuarit u ul në poltronin e verdhë dhe rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive.

Aleksandër Gjoka është një nga artistët e rrallë që ne kemi, i cili ka spikatur gjithmonë për zërin e tij unik dhe të pakrahasueshëm. Me një karrierë muzikore rreth 40-vjeçare, ai numëron pafund këngë të cilat i kanë i rezistuar kohës.

Gjatë programit artisti u shpreh se pika e tij e fortë në muzikë është padyshim zëri i tij i veçantë, por ai shtoi se pavarësisht talentit, nëse nuk punon, dëgjon dhe studion muzikë është gati e pamundur që t’ia dalësh.

E nëse themi Aleksandër Gjoka, nuk mund te mos sjellim ndërmend dy artistët e tjerë, Elton Dedën dhe Redon Makashin. Ishte në fillim Elton Deda ai që hyri në studio me anë të një lidhje “Skype”, duke surprizuar artistin.

Elton Deda ndër të tjera tha se e vlerëson Sandrin për artistin dhe mikun që është, ndërkohë që më pas ishte Redon Makashi që përshëndeti mikun e tij, duke e cilësuar marrëdhënien mes tyre si te mes vëllezërish. Ata njihen si “Tre musketjerët”, që edhe pse janë natyra të ndryshme, muzika i ka bërë të pandarë nga njëri-tjetri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb