Analisti politik nga Maqedonia e Veriut, Fejzi Hajdari, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale, duke u ndalur te mesazhi që, sipas tij, qytetarët shqiptarë i dhanë politikës së vjetër.
“Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë ia dhanë atë përgjigjen e merituar jo vetëm Edi Ramës, por edhe Ali Ahmetit,” u shpreh Hajdari për ‘Syri TV’.
Ai tha se beteja kryesore për Ali Ahmetin ishte në komunën e Çairit, në Shkup, zonë me shumicë shqiptare, ku sipas tij, rezultati përfaqëson një goditje simbolike për BDI-në.
“Ky ishte mesazhi i fundit për Ali Ahmetin, se ka humbur betejën në bastionin më të madh të BDI-së, në Çair. Kjo ishte gjithashtu përgjigjja për ata që u mblodhën në Tiranë dhe për ata këtu që shkuan për t’u bashkangjitur,” theksoi Hajdari.
Ai shtoi se Ali Ahmeti ka kërkuar shpëtim politik tek Edi Rama dhe opozita në Prishtinë, si dhe akuzoi disa media të financuara nga burime të dyshimta për tentativë manipulimi të opinionit publik.
“Ata tentojnë të paraqesin kryeministrin Kurti dhe një parti të koalicionit VLEN si subjekte politike të cilat i janë nënshtruar atje në Kosovë serbëve dhe këtu në Maqedoni maqedonasve. Por ja që vota e qytetarëve shqiptarë tregoi diçka krejtësisht tjetër,” përfundoi ai.
