Nga: ERJON SKËNDAJ*
24 vite pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha News 24 sjell rrëfimin e një prej dëshmitarëve kryesor të asaj ngjarje, Ali Begeja. Inxhinieri i Ujësjellësit të Tiranës nuk e dinte se nga ajo ditë do të ndëronte zanat dhe do të behej fotografi i demostratës antikomuniste dhe përmes aparatit të tij do të fiksonte momente që kane hyrë në historinë e shqiptarëve.

Sot në moshën 68 vjeçare, Ali Begeja ende flet me shumë emocion për shembjen e bustit të diktatorit dhe për ngjarjet që pasuan deri në shembjen e regjimit komunist.
***
Për 24 vite nuk ka folur, e as nuk ka pranuar të intervistohet dhe për rrjedhojë i ka mbajtur në kyc dhjetra materiale filmike dhe fotografi të bëra nga ai vetë, prova historike të ngjarjeve më të bujshme të ndodhura në Tiranën e fillim viteve 90.

Quhet Ali Begeja dhe është pinjoll i familjes së njohur tiranase Begeja. Prej 24 vitesh punon si operator dhe fotograf, zanat që thotë se e ka nisur ta ushtrojë për herë të parë pikërisht ditën e shembjes së statujës së diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës, në 20 shkurt 1991, fal një aparati fotografik që ia kishte sjellë dhuratë e kushërira znj. Liri Begeja nga Franca.
Teksa përpiqet të kujtojë atë mengjes me diell të 20 shkurtit ‘91 Aliu hap një album të madh me fotografi dhe kujtime të asaj kohe që e ruan si ujët e pakët e që për herë të parë do ta ndajë me publikun përmes News 24.
‘Dëgjova se po dilnin në shesh të gjithë njerëzit për protesta. Lashë punën, mora autobusin dhe direkt e në shesh. Me vete kisha aparat fotografik, më hipi qejfi të regjistroj gjithçka që kisha mundësi. Policia erdhi për të shpërndarë njerëzit, unë u fsheha që të mos më shikonin kur bëja foto. Kur po binte busti isha aty, asnjë njeri nuk e imagjinonte që do binte busti. Hipa lart në një makinë dhe kam bërë foto nga më të ndryshmet. Një film të vetëm kisha”, rrëfen Aliu.

Në “Ifën” që tërhiqte statujën e rrëzuar të diktatorit u ngjitën 5 persona, mes tyre edhe Ali Begeja që atë ditë nuk ishte më inxhinieri i ujësjellësit të Tiranës po fotoreporteri i demostratës antikomuniste.

“Lart në makinë kemi qenë Gim Buxheli një italian dhe dy të tjerë që nuk i mbaj mend. Nuk lejonin më shumë si fillim. Ne na lanë meqë kishim aparat fotografik. Bustin e lidhën nga koka, e tërhoqën deri tek biblioteka. Zbrita pastaj vetë pasi bëra filmime, hipa sipër bustit. Pastaj u këput kavo dhe ne njerëzit që ishim sipër ramë, mua mu hap aparati. Kisha frikë mos më digjeshin fotot, një pjesë e tyre në fakt u dogjën… Aty ishte hera e parë që kam parë njerëzit që përqafoheshin, djem e vajza pa dallim, pa u njohur fare. Ai tip mitingu me atë eufori as nuk bëhet fjalë që mund të vijë më ”, shton ai.

Aparatin thotë se ia kishte sjellë e kushërira e tij e Liri Begeja, që jetonte asokohe në Francë dhe që kishte filluar ta mësonte duke shkrepur foto në protestat e shumta që organizonte në Tiranë Partia Demokratike e sapokrijuar, protesta që kulmuan pikërisht në 20 shkurt me shtatoren e rrëzuar të diktatorit Hoxha.

Mes fotove ka dhe nga ato më skandalistiket ku tregohet urrejtja e njerëzve për regjimin dhe veçanërisht diktatorin Hoxha, teksa urinojnë mbi kokën e këputur të statujës që tërhiqej zvarrë nëpër Tiranë.

“Ky është një moment që tregon se tre veta kanë urinuar në momentin që bustit të diktatorit iu këput koka”, thotë Begeja teksa tregon albumin e tij të rrallë.

Në albumin e rrallë të fotove Begeja mban si më të veçantën fotografinë e liderit demokrat Sali Berisha fiksuar në një mbledhje me punonjës të Institutit të Higjenës në Tiranë, ku në sfond duket qartë fotoja e diktatorit dhe parrullat e regjimit të shkuar. Begeja thotë se i është druajtur ndonjë keqkuptimi të mundshëm në publik ndaj dhe nuk e ka publikuar asnjëherë këtë moment të shkeputur 10 ditë para shembjes së statujës.

“Është foto ekskluzive që nuk e ka njeri. Është momenti kur tek Instituti i higjienës ku gjithë pjesëtarët e PD dhe zoti Berisha i bënin thirrje popullit të hiqnin vetë parullat për Enver Hoxhën”.

Një javë pas ngjarjes së bujshme të rrëzimit të statujës, Ali Begeja thirret në polici për të dëshmuar, ku i kërkohet të dorëzojë filmimet e bëra gjatë demostratës të cilat nga frika e bastisje së shtëpisë i mbante të fshehura jashtë saj.

“Kam shkuar në rajon dhe më pyetën se ku kam qenë në datë 20. I thashë që isha tek busti dhe se po kthehesha nga puna. Isha i sigurt që më kishin filmuar, po iu thashë por aparati mu thye se u rrëzova tek busti. Këto filma ia kam dhënë kushërirës në Francë, nuk i mbaja në shtëpi nga frika”.

Në arkivën Begeja ndodhen edhe shumë filmime të disa muajve më vonë ku shfaqen qytetarë të Tiranës dhe jo vetëm që përleshen me policinë dhe u vënë zjarrin makinave të ish forcave speciale 326. Pamjet e patrensmetuara asnjëherë janë i përkasin datës 29 maj 1991 kur në qendër të Tiranës zhvillohej demostrata e radhës në mbështetje të grevës së urisë së minatorëve të Valiasit.

I zhgënjyer si shumë aktivistë dhe pishtarë të demokracisë, Begeja thotë se idealet e revoltës antikomuniste kanë mbetur në vend ende të paplotësuara, si 24 vite më parë.

Pas 24 vitesh unë mund të them se ne kemi ngelur në vend. Ne duhet të kishim ecur shumë më tepër se kaq. Demokraci kur s’kemi akoma drita e ujë, të jetojmë me stres se nuk kemi punë. Nuk ishte problemi jonë, ne luftuam për fëmijët tanë”,- thotë Ali Begeja ndër të tjera.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: