TIRANE- Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për media tha se ish drejtori i transportit rajonal të Sarandës, Klement Balili ka pasur mbështetje politike, ndërsa shton se i është pastruar kartela e krimeve.

“Klement Balili, i kërkuar për trafik ndërkombëtar droge nga gjysma e Europës dhe nga DEA amerikane, i emëruar drejtor i transportit rajonal të Sarandës nga Edi Rama, jo vetëm kishte mbështetjen e nevojshme politike e qeveritare për biznesin e tij kriminal, por shërbimet dhe favoret e Saimir Tahirit ndaj tij kanë arritur kulmin me pastrimin e të kaluarës së tij kriminale. Eshtë zbuluar se janë hequr në kartelen e Balilit krimet e precedentët e mëparshëm. I shpalluri në kërkim ndërkombëtar, i konsideruar nga CNN si eskobari i Ballkanit, rezulton me një të shkuar të pastër, edhe pse në vitin 2006 u kap me 750 kilogramë drogë, edhe pse Bashkia Sarandë e ka kallëzuar për ndërtim pa leje, edhe pse ka pasur probleme të tjera dhe konflikte për të cilat është denoncuar. Saimir Tahiri ka futur duart në kartelën e Balilit duke ia fshirë të gjithë precedentët”.

Alibeaj shton se: “Eshtë kjo arsyeja pse Policitë e vendeve fqinje dhe DEA amerikane nuk kishin besim tek autoritetet shqiptare dhe i përjashtuan nga aksioni ndërkombëtar, pasi e dinin se Balili kishte lidhje të forta me qeverinë. Saimir Tahiri ka dalë kështu zbulur në lidhje të gjithanshme me krimin me trafikun e drogës. Duke ofruar jo vetëm imunitet, paprekshmëri, vënie në dispozicion të pikave kyçe të policisë e të kufirit, e duke ndihmuar në arratisjen e Balilit, por duke e nxjerrë eskobarin e Ballklanit edhe të pastër, pa asnjë krim të mëparshëm. Ky inkriminim i ministrit të brendshëm është një rekord i zi në shkallë botërore, dhe Tahiri është sot në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve i provuar me lidhje të thella e të çdo lloji me krimin e trafikun e drogës. Nuk mjafton më largimi i tij një orë e më parë nga detyra. Ai duhet të hetohet e të shkojë para drejtësisë për të gjitha rastet e shërbimit që ka kryer ndaj bandave, ndaj Balilit, Habilajve, Shullazit”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: