Piloti spanjoll ka qenë gjithmonë një nga zërat më kritikë ndaj epokës së re të Formula 1 dhe analiza e tij e fundit është veçanërisht e ashpër ndaj aftësive që kërkohen sot nga pilotët. Një epokë ku garat me ritëm “hap-mbyll” po dominojnë, ndërsa diferencat e energjisë po përcaktojnë betejat mes pilotëve të ndryshëm. Edhe pse kritikat nuk janë më aq të drejtpërdrejta sa në fillim të sezonit, ajo që u pa në Britani tregon një situatë që nuk u pëlqen shumë yjeve të Formulës 1.
Fernando Alonso është ndër pilotët që ka ngritur më fort zërin për problemet që, sipas tij, nuk po zgjidhen nga rregullorja aktuale. Që në Monako ai ishte shumë i qartë, pavarësisht spektaklit të mirë të garës: “Kemi humbur një dekadë garash”, tha spanjolli. Kritika e tij i drejtohej makinave me komponentë hibridë dhe elektrikë, të cilat janë pjesë e Formulës 1 që nga viti 2014 dhe kanë kaluar përmes disa ndryshimeve rregullatore.
Pas problemeve të shfaqura në Britani, Alonso dërgoi edhe mesazhe të tjera të forta: “Talenti dhe ndjesia e pilotit nuk janë më të nevojshme. Nuk ke nevojë të kesh ndonjë aftësi të veçantë për të parakaluar, as të frenosh më vonë. Nuk ke nevojë të marrësh linja të jashtme, as të rrezikosh”, u shpreh dy herë kampioni i botës. Një deklaratë e fortë nga një pilot i njohur pikërisht për aftësinë e tij në duelet kokë më kokë, me parakalime historike në çdo epokë të këtij sporti, si ai ndaj Mikael Shumakerit në kthesën 130R të Suzukës apo manovrat ndaj Luis Hamiltonit në Bahrejn në vitin 2023. Sot, sipas Alonsos, situata ka ndryshuar:
“Shtyp një buton dhe parakalon nëse ke më shumë fuqi se kundërshtari”, analizoi ai. Si shembull ai përmendi garën Sprint, ku Kimi Antoneli kaloi me lehtësi Luis Hamiltonin falë një diference të madhe energjie, pasi përdori mënyrën e parakalimit në Mercedesin e tij. Ndërkohë, kjo situatë pritet të vazhdojë edhe në Belgjikë:
“Nuk mund ta përdorësh energjinë në pjesët e drejta. Nëse e bën këtë mes kthesave 1 dhe 5, atëherë nuk ke më energji për pjesën tjetër të xhiros. Duhet ta ruash deri te kthesa 14. Do të ketë një sektor pa përdorim energjie. Nuk duhet të harrojmë se kemi më pak fuqi se vitin e kaluar dhe më pak fuqi… edhe se një makinë e Formula 2”, përfundoi Alonso. Pista e Belgjikës, së bashku me atë që do të vijë në Monza, është ndër më të vështirat për natyrën e këtyre makinave, të cilat kanë nevojë për frenime të forta për të rikuperuar energji. Edhe këtë aspekt Alonso e përmendi: “Tashmë nuk ka më kthesa, ka vetëm stacione karikimi”.
ARTIN LLESHAJ-PANORAM
