Në një takim me studentët e UAMD, kreu i SPAK Altin Dumani theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e SPAK, por duhet të jetë betejë e të gjitha institucioneve dhe, pa diskutim, edhe e vetë shoqërisë. Ai kujtoi se, megjithëse SPAK është një institucion relativisht i ri, sot ai funksionon plotësisht dhe ka arritur të prodhojë rezultate të prekshme.

Para pedagogëve dhe studentëve, Dumani u ndal edhe te sfidat e viteve të para të institucionit, por nënvizoi se pavarësisht problematikave, SPAK ka arritur të ndërtojë një standard të ri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai theksoi se në përfundim të mandatit të tij, ndihet i kënaqur me punën e bërë, duke rikujtuar se SPAK ka ngritur akuza ndaj personave me peshë të rëndësishme politike – nga kryebashkiakë e deputetë, deri te ministra.

Sipas Dumanit, veçanërisht domethënëse është fakti që për rreth 50% të personave të akuzuar nga SPAK, gjykatat kanë dhënë vendime, çka tregon se puna e institucionit është mbështetur edhe nga sistemi gjyqësor.

Altin Dumani, i cili javën e ardhshme do t’i dorëzojë detyrën Klodian Brahos – drejtuesi i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme – ishte i ftuar në një bashkëbisedim me studentët e UAMD me temën “Lufta kundër korrupsionit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb