Altin Ndoci ndodhet në arrati prej dy ditësh.

Trupi gjykues vendosi që sot ta shtyjë seancën derisa Policia e Shtetit ta pajisë gjykatën me shkresën zyrtare që provon se Altin Ndoci nuk ndodhet në adresën e tij të ligjshme.

Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më 20 janar. Aldo Shkëmbi, njëri prej mbrojtësve ligjorë të Altin Ndocit i ka kërkuar gjykatës t’i dërgojë kërkesë policisë për të bërë njoftimin sipas procedurës, sepse Altin Ndoci mund të jete edhe në banesën e tij

“ I kërkojmë gjykatës t’i dërgojë kërkesë policisë për të bërë njoftimin sipas procedurës, sepse Altin Ndoci mund të jetë edhe në banesën e tij, ne këtë nuk e dimë.”, ka thënë ai.

Ndërkohë, në një komunikim me mediat pas përfundimit të seancës, avokati u shpreh: Nga Drejtoria  e Përgjithshme e Burgjeve ka ardhur një shkresë ku gjykata njoftohet se Altin Ndoci nuk është në kushtet e izolimit. Kushtet për një proces të rregullt gjyqësor duhet të njoftohej i pandehuri për procesin që po zhvillohet ndaj tij. Sa kohë që edhe në seancat e mëparshme është njoftuar dhe ka shprehur vullnetin të përfaqësohej nga unë dhe kolegia ime. Në mungesë të deklaratës kësaj radhe, për të respektuar parashikimin ligjor për njoftimin e të pandehurit, për të arritur në pikën ku duhet të deklarohet nëse i fshihet apo jo drejtësisë, çka çon në gjykim në mungesë, gjykata duhet të shtynte seancën në mënyrë të tillë që të kërkonte informacion më të detajuar nga policia për kërkimin që po bëhen për të pandehurin.

Ky është një gjyq maratonë ka kohë që bëhet, nuk ishte më parë e nevojshme të komunikonim para apo pas seancës me klientin. Sa i përket qëndrimit tonë si mbrojtje e tij, klienti ka pasur besim, kështu kemi proceduar. Nuk kishim dijeni më parë mbi veprimet e mos veprimet e tij. As pas. Kontakti i fundit me të nuk e mbaj mend, por SPAK dhe policia janë duke bërë verifikimet përkatëse dhe do të kenë edhe librat e takimeve. Kam shumë që nuk e kam takuar sepse nuk e kam parë të arsyeshme pasi seanca ka pasur çdo javë.

I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, ishte arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe akuzohet vrasje me pagesë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: