Ish-drejtuesi në strukturat e policisë, Krenar Ahmeti, ka komentuar në News24 në “Programin informativ te drekës” me gazetaren Ola Bruko, arratisjen e Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit para dy ditësh, duke e konsideruar rastin si një “injorancë profesionale” të personelit të sigurisë.
Ahmeti u shpreh se për të gjithë personat e shoqëruar dhe të arrestuar procedurat janë të njëjta, dhe se grupet e punonjësve të ngarkuar me shoqërimin duhet të respektojnë këto protokolle.
“Ky komunitet i punonjësve të sigurisë që ngarkohen me këtë punë ka përgjegjësi të qarta. Për mua, ky rast është një injorancë profesionale,” deklaroi ai.
Ish-drejtuesi theksoi se një masë minimale, si vendosja e prangave, nuk u mor, pasi Altin Ndoci nuk ishte i prangosur në momentin e shoqërimit në spital. Ai paralajmëroi se kostoja e kapjes së tij pas arratisjes do të jetë e pallogaritshme dhe se miliona lekë mund t’i faturohen shtetit për shkak të papërgjegjshmërisë.
Ahmeti nënvizoi nevojën për përforcim të masave të sigurisë dhe respektim rigoroz të procedurave për të paraburgosurit me rrezikshmëri të lartë, për të shmangur ngjarje të tilla në të ardhmen.
