Gazetari Ferdinand Dervishi ka komentuar arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit gjatë një vizite mjekësore disa ditë më parë, duke e cilësuar ngjarjen si një dështim serioz të shtetit dhe një operacion të mirëorganizuar nga krimi i organizuar.
Sipas Dervishit, përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet shtetërore që kishin detyrimin ligjor për ruajtjen e të paraburgosurit. “Arratisja ishte e organizuar. Problemi është te shteti që përgjigjet për të ruajtur atë njeri dhe nuk ka funksionuar në asnjë hap”, u shpreh gazetari. Ai ngriti dyshime edhe mbi arsyet e dërgimit të Ndocit në spital, duke theksuar se megjithëse u tha se ishte i sëmurë, ai u pa duke vrapuar “si një djalë i ri i shëndetshëm” gjatë arratisjes.
Dervishi kritikoi ashpër procedurat e ndjekura nga Drejtoria e Burgjeve, duke zbuluar se Ndoci ishte shoqëruar pa pranga. Moment kyç i arratisjes, sipas tij, ishte kur i paraburgosuri kërkoi të shkonte në banjë dhe u shoqërua nga një polic dhe një police. “Një police nuk ka të njëjtën formë fizike për të përballuar një mashkull me atë staturë, dhe ai e tejkaloi lehtësisht”, deklaroi ai.
Gazetari theksoi se fakti që Ndoci arriti të largohej nga qendra e Durrësit dhe të zhdukej me një makinë të identifikuar ngre pikëpyetje serioze për organizimin dhe përfshirjen e mundshme të strukturave policore. “Kjo ngre dyshime të forta për një ngjarje të organizuar”, shtoi ai.
Dervishi e përshkroi Altin Ndocin si një vrasës me pagesë të grupit të Çopjave, të cilët sipas tij kanë ndërtuar pasuri të mëdha nga trafiku i kokainës në Europë, me vlera që shkojnë në miliarda euro. “Ata ishin të gatshëm të paguanin 2 milionë euro për të vrarë një person dhe për të hedhur në erë një pallat të tërë. Kjo është egërsia e krimit, është terroriste”, tha ai, duke shtuar se Ndoci ishte një nga ekzekutorët më të vlerësuar të këtij grupi.
Sipas gazetarit, arratisja nuk mund të ishte financuar nga vetë Ndoci. “Ky person nuk kishte para. Duhej një fuqi e madhe monetare për një arratisje të tillë”, u shpreh ai, duke ngritur shqetësimin se lirimi i tij mund të lidhet me eliminime të reja. “Pse u lirua? Kush e ka radhën?”, pyeti Dervishi.
