Autoriteti i Mediave Audiovizive ka paralajmëruar publikun për një skemë mashtruese të lidhur me aplikacionin pirat “AlbKanale”, i cili, sipas AMA-s, shpërndante pa autorizim përmbajtje televizive dhe paketa të mbrojtura me të drejta autori.
AMA njofton se aplikacioni është bllokuar më 11 gusht 2026, pas një procesi monitorimi dhe analizimi teknik të kryer nga grupet e inspektimit të institucionit. Në fokus të ndërhyrjes kanë qenë transmetimet e paautorizuara të paketave të Digitalb dhe Tring, kanaleve të TV Klan dhe RTSH, si dhe përmbajtjeve sportive.
Pas ndërprerjes së shërbimit, operatorët e “AlbKanale” kanë pretenduar se kanë qenë viktima të një sulmi kibernetik dhe u kanë kërkuar përdoruesve të kontribuojnë financiarisht për rikthimin e shërbimit, përfshirë pagesa në kriptomonedha.
Nisur nga kjo situatë Autoriteti i Mediave Audiovizive paralajmëron qytetarët të mos dërgojnë fonde në adresë të tyre sepse “AlbKanale” nuk është jashtë funksionit për shkak të një sulmi kibernetik, por si rezultat i ndërhyrjes së AMA-s ndaj një shërbimi që transmetonte përmbajtje pa të drejta.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi u bën thirrje përdoruesve të mos kryejnë pagesa apo kontribute në kriptomonedha, duke argumentuar se transaksione të tilla janë të pakthyeshme dhe se financimi i shërbimeve pirate mbështet një aktivitet të kundërligjshëm.
Procesi që kryejnë ekipet e inspektimit përfshijnë; monitorimin e trafikut të rrjetit, analizimin e rrjedhës së transmetimeve, identifikimin e serverëve burimorë dhe bashkëpunimin me operatorë ndërkombëtarë për raportimin e shkeljeve.
Autoriteti i Mediave Audiovizive përsërit angazhimin për vijimin e luftës kundër piraterisë audiovizive dhe u kërkon qytetarëve të zgjedhin operatorë dhe shërbime të licencuara.
