Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë ka lëshuar një paralajmërim për një kërcënim të mundshëm në Kompleksin e Muzeut Tsaritsyno, në kryeqytetin rus.
Në njoftimin e publikuar më 31 tetor, ambasada amerikane bën me dije se disponon informacione për një kërcënim të besueshëm për një incident të mundshëm në muzeun që ndodhet në rrugën Dolskaya 1, në Moskë.
Sipas deklaratës, qeveria amerikane është duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse ruse për trajtimin e situatës.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kompleksin muzeal gjatë ditës së sotme, të qëndrojnë vigjilentë, të shmangin grumbullimet e njerëzve dhe të ndjekin njoftimet e mediave lokale për çdo zhvillim të ri. Gjithashtu, u është kërkuar të kenë telefonat të karikuar dhe dokumentet e identifikimit me vete.
Ndërkohë, sipas mediave ruse, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) ka konfirmuar marrjen e informacionit nga pala amerikane lidhur me një sulm të planifikuar dhe ka bërë të ditur se po ndërmerren masat përkatëse të sigurisë.
Pavarësisht paralajmërimit, muzeu vijon aktivitetin normal. Ndërkohë, pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë praninë e shtuar të forcave të policisë pranë hyrjes së kompleksit.
