PRISHTINE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Vëmë në pah se Gjykata në mënyrë të qartë thotë se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit dhe jep udhëzime për tu siguruar që themelimi i saj bëhet sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Kosovë.
Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese ka vendosur se marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është tërësisht në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Vendimi ishte edhe përgjigjia ndaj kërkesës së presidentes Atifete Jahjaga, për të vlerësuar Marrëveshjen e 25 gushtit për ASK-në. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Asociacioni i Komunave me shumice serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Kosovës.
(ma.ar/BalkanWeb)
