SHBA- Ambientet e Ambasadës së Shqipërisë këtë radhë kanë qenë mikpritës të ambasadorëve në një mëngjes pune, si hapi i parë për krijimin e një tryeze të përbashkët në të cilën të diskutohen çështje të bashkëpunimit rajonal.

Në takim ishte ftuar të merrte pjesë edhe Drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi.

Ambasadorja Floreta Faber propozoi gjatë takimit që kjo tavolinë të bëhet një traditë dhe një mjet i rëndësishëm për promovimin e objektivit të përbashkët të vendeve të BP për një bashkëpunim rajonal. Në kuadër të procesit të Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë angazhuar në një përpjekje shumë pozitive të përbashkët.

Qeveritë tashmë kanë rënë dakord të mbështesin nisma për ndërlidhjen e vendeve të rajonit nëpërmjet projekteve të infrastrukturës së transportit dhe energjisë, si edhe për bashkëpunim në fusha si, rinia, shoqëria civile dhe qarqet akademike. Gjatë takimit u ra dakord nga të gjithë që kjo përpjekje të gjejë një pasqyrim më të gjerë në aktivitete dhe takime ku të promovohet kjo frymë e re dhe nismat konkrete që e shoqërojnë, të promovohen vendet tona dhe potenciali i tyre ekonomik si një treg rajonal, si edhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në fushën e turizmit.

Qëllimi parësor i kësaj pune të përbashkët, ruajtja dhe nxitja e dinamikës së zgjerimit të BE-së, duhet të mbajë të tërhequr edhe vëmendjen e Uashingtonit.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: