Ambasdaori i Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri flet për marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Shqipërisë, asistencës që Katari ka dhënë për Shqipërinë e goditur nga tërmeti i vitit të kaluar dhe coronavirusit, organizimin e jashtëzakonshëm për të pritur kampionatin botëror të futbollit 2022, por edhe situatën aktuale me krizën e Gjirit, mënyrën sesi Katari po trajton krizën e shkaktuar nga Covid 19 apo tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Intervistën për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në News 24 mund ta lexoni më poshtë.

Zoti Ambasador, ka kaluar kohë nga intervista jonë e parë. A ka patur zhvillime të reja në marrëdhëniet midis dy vendeve gjatë kësaj periudhe?

Së pari, dua të ritheksoj se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë shumë të shkëlqyera dhe të konsoliduara. Në themel të tyre qëndrojnë respekti dhe bashkëpunimi i ndërsjellë në të gjitha fushat dhe nivelet, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në organizatat ndërkombëtare, duke mbështetur kandidaturat respektive në këto organizata.

Gjithashtu, jam i lumtur të konstatoj se marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur gjatë kësaj periudhe një zhvillim dhe përparim të mëtejshëm, pavarësisht rrethanave të pazakonta që po kalojnë dy vendet tona dhe e gjithë bota që prej fillimit të këtij viti. Kjo dëshmon edhe një herë vullnetin e fortë dhe përkushtimin e përhershëm të të dy palëve për të çuar para marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.

Unë do të bëj ç’është e mundur që këto marrëdhënie të forcohen edhe më shumë dhe do të mbështes çdo nismë që kontribuon në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në të githa fushat. Prandaj jam besimplotë se në periudhën e ardhshme, veçanërisht pas tejkalimit të situatës së tanishme, do të shohim një hov të ri të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në interes të të dy vendeve dhe popujve tanë.

A kemi së afërmi ndonjë vizitë të nivelit të lartë mes dy vendeve?

Sikurse e dini, situata e pazakontë aktuale ka imponuar disa kufizime në këtë drejtim. Në fakt, ishte parashikuar që disa zyrtarë të lartë katarianë të vizitonin këtë vit Shqipërinë me ftesë nga homologët e tyre shqiptarë. Por, për shkak të rrethanave emergjente të shkaktuara nga COVID-19, vizitat u shtynë për një kohë të mëvonshme, kur gjendja e pandemisë të jetë stabilizuar.

Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa Jassem Al-Kuwari vizitoi Shqipërinë gjatë shtatorit të kaluar, ku nënshkroi marrëveshjen e grantit midis dy vendeve për financimin e projekteve të rindërtimit në disa zona të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si dhe mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shkollës “Jeronim De Rada”, e rikonstruktuar tërësisht me financimin e Fondit të Katarit për Zhvillim. Kjo ishte vizita e tij e vetme jashtë Katarit që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit, edhe pse Fondi ka financuar gjatë këtij viti një sërë projektesh të tjera në shumë vende të botës.

Ndërkohë, për vitin 2021 janë planifikuar disa vizita të nivelit të lartë, të cilat aktualisht janë në fazën e koordinimit.

Ambasador, për shkak të tërmetit Ju anuluat vitin e kaluar ceremoninë që organizon Ambasada çdo vit me rastin e Ditës Kombëtare. Po ashtu anuluat ceremoninë edhe këtë vit nisur nga situata aktuale e Coronavirusit. Pyetja ime është: Ç’do të thotë Dita Kombëtare për Shtetin e Katarit dhe cilat janë pikat kulminante në historinë e vendit Tuaj?

 Ju faleminderit për këtë pyetje. Fillimisht, më lejoni që me rastin e Ditës Kombëtare të Shtetit të Katarit, të uroj Lartësinë e Tij Emirin Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, Babain e Emirit Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani dhe të gjithë qytetarët dhe rezidentët në Katar.

Në përgjigje të pyetjes suaj, dëshiroj të theksoj se 18 Dhjetori i çdo viti shënon një ditë kulminante në historinë e shtetit dhe popullit të Katarit. Një ditë krenarie për trashëgiminë e etërve tanë dhe të kaluarën e atdheut tonë, një ditë vlerësimi për të tashmen e begatë, dhe një ditë optimizmi për të ardhmen premtuese. Kjo është ditë e rrënjosjes së parimeve dhe vlerave tona kombëtare, si dhe e konsolidimit të kohezionit me udhëheqjen tonë të urtë për të vazhduar rrugën e ndërtimit, zhvillimit dhe dinjitetit.

Kjo ditë ka për qëllim përkujtimin e themeluesit të shtetit, Sheikh Jasim bin Muhamed Al Thani, nën flamurin dhe udhëheqjen e të cilit Katari u bë më 1878 një shtet koherent, i unifikuar dhe i pavarur.

Më pas, nën udhëheqjen e mençur të Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, Katari ka vijuar rrugën e ndërmarrë nga Emiri Baba Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani për mëkëmbjen e gjithanshme, modernizimin e shtetit e të shoqërisë katariane, dhe realizimin në kohë rekord të arritjeve të pashembullta, duke i dhënë vendit një pozicion të përparuar midis vendeve të tjera dhe duke e bërë atë një shembull të denjë për tu ndjekur.

Ndërsa sot, në sajë të arritjeve të tij konkrete, Shteti i Katarit ka arritur të fitojë me meritë një pozitë prestigjioze e të veçantë në arenën rajonale dhe atë ndërkombëtare. Të gjitha këto arritje janë realizuar falë direktivave të lidershipit tonë të urtë, i cili i ndërton marrëdhëniet me vendet e ndryshme të botës dhe institucionet ndërkombëtare mbi bazën e një politike të jashtme që ka në thelb bashkëpunimin, miqësinë mes vendeve, fqinjësinë e mirë, përdorimin e gjuhës së dialogut dhe mjeteve paqësore për zgjidhjen e konflikteve, respektimin e sovranitetit të të gjitha shteteve, mosndërhyrjen në punët e tyre të brendshme, dhe zbatimin e konventave dhe traktateve ndërkombëtare.

Shteti i Katarit mbështet organizatat dhe mekanizmat rajonale e ndërkombëtare për të rritur rolin e tyre, në mënyrë që të jenë të afta për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Me rolin e tij në ndërmjetësimin efektiv, Shteti i Katarit ka kontribuar dhe kontribuon në zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, pavarësisht domethënies së madhe që ka kjo Ditë Kombëtare në të shkuarën, të tashmen dhe ndërgjegjen tonë, ne anuluam festimin e kësaj dite vitin e kaluar, në solidaritet me Shqipërinë dhe popullin shqiptar, për shkak të situatës tragjike që shkaktoi tërmeti.

Thatë Shkëlqesi, që e anulluat ceremoninë e vitit të kaluar në shenjë solidariteti me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Keni qenë edhe vetë i pranishëm në shpërndarjen e ndihmave për shumë familje në disa zona. Cila është mbështetja që Shteti i Katarit i ka dhënë Shqipërisë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti?

 Po. E pamë të papërshtatshme mbajtjen e një ceremonie festive në atë atmosferë të trishtuar për popullin mik shqiptar, prandaj vendosëm të anulonim pritjen dhe të përqendronim të gjithë vëmendjen tonë në ndihmë të banorëve të dëmtuar në zonat e tërmetit. Në bashkëpunim me bashkitë dhe autoritetet lokale në rrethin e Durrësit, Tiranës, Lezhës e disa zona të tjera dhe në koordinim me Fondin e Katarit për Zhvillim dhe fondacionin Qatar Charity Albania, shpërndamë mijëra pako me ndihma dhe artikuj bazë për familjet e prekura, nisur që nga ushqimet e deri në materiale të ndihmës së shpejtë, veshje, batanije, shtretër, pajisje ngrohëse, etj.

Në të njëjtën kohë, kontaktuam me autoritetet përkatëse në Doha, të cilat reaguan me shpejtësi dhe dërguan në Shqipëri delegacione nga Fondi i Katarit për Zhvillim dhe Gjysmëhëna e Kuqe Katariane, për të inspektuar kushtet në terren dhe për të studiuar nevojat në kudrin e programeve të rindërtimit dhe të ndihmave jetike. Ata ofruan ndihma dhe materiale të tjera për të prekurit, veçanërisht në zonat e largëta dhe të vështira për t’u arritur.

Ndërsa gjatë konferencës së donatorëve që u mbajt në Bruksel shkurtin e kaluar, Shteti i Katarit shpalli nën direktivat e Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, dhënien e një granti prej 5 milion dollarësh për Shqipërinë. Marrëveshja e këtij granti u nënshkrua më 12 shtator në godinën e Kryeministrisë në Tiranë, nga Drejtori i Fondit të Katarit për Zhvillim dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim, për të financuar rindërtimin e dy shkollave dhe një kopshti në Tiranë.

Të mbetemi pak tek ndihmat. Do donim të dinim gjithashtu mbështetjen e Katarit për Shqipërinë në luftën ndaj pandemisë Covid-19…

 Në periudhën e karantinës gjatë pandemisë, Qatar Charity Albania shpërndau në zona të ndryshme të Shqipërisë mijëra pako me ndihma, që përmbanin detergjentë, dezinfektues dhe artikuj të shportës, të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë të familjes për një muaj.

Në 14 maj 2020, në aeroportin e Rinasit mbërriti nga Katari një avion i ngarkuar me 10 ton ndihma emergjente në materiale dhe pajisje mjekësore, të cilat u dërguan nëpërmjet Fondit të Katarit për Zhvillim me direktivë nga Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në mbështetje të Shqipërisë për përballimin e pandemisë Covid-19.

Kurse në gusht, i dhuruam Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale një donacion me pajisje dhe aparatura mjekësore moderne me vlerë 300 mijë euro nëpërmjet Qatar Charity Albania, të cilat iu dorëzuan QSUT “Nënë Tereza”. Ministria e Shëndetësisë theksoi atë kohë se pajisjet erdhën në momentin e duhur për të përballuar rastet në rritje të infektimeve, dhe vlerësoi se kjo ndihmë kontribuon shumë në rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

Në Kosovë gjithashtu, Zyra e Qatar Charity në Prishtinë shpërndau gjatë periudhës së pandemisë mbi 2800 pako ushqimore me artikuj bazë që mbulojnë nevojat e një familjeje për një muaj, si dhe 500 pako të tjera me detergjentë dhe dezinfektantë. Po nëpërmjet kësaj zyre, Shteti i Katarit i dhuroi Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë ndihma mjekësore me vlerë 300 mijë euro, përfshirë gjashtëmijë (6000) teste koronoavirusi dhe gjashtë pajisje respiratore.

Padyshim, këto ndihma konfirmojnë marrëdhëniet e forta të miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë. Ne në Katar, do të qëndrojmë përherë në krah të Shqipërisë dhe Kosovës, aq më tepër në kohë të vështira.

Në pritje të organizimit të Kupës së Botës 2022, Shteti i Katarit po implementon shumë projekte madhore. Si po ecin aktualisht këto projekte, veçanërisht në rrethanat e pandemisë? Dhe a kemi ndonjë numër të shqiptarëve që punojnë në Katar?

 Mund të them me komoditet të plotë se procesi i ndërtimit të stadiumeve të reja, mjediseve sportive ndihmëse dhe projekteve të modernizimit të infrastrukturës së nevojshme për Kupën e Botës 2022, po avancojnë me ritme të larta pa u ndikuar në nivelin e cilësisë dhe afatet e realizimit të tyre, pavarësisht pasojave të pandemisë dhe sfidave të bllokadës. Kjo, pasi Katari ka investuar energji dhe fonde të mëdha për përfundimin e projekteve në kohën e duhur.

Duke qenë se Katari është i pari vend arab që organizon një botëror futbolli, ai po bën të gjitha përpjekjet për të siguruar që ky event i rëndësishëm global të zhvillohet në një formë të pashembullt dhe unike, në mënyrë që të jetë i denjë për të dhe botën arabe, dhe të jetë një mesazh paqeje dhe burim krenarie për rajonin e Gjirit dhe të gjithë arabët.

Infrastruktura për kompionatin futbollistik është plotësuar në masën 90%. Deri tani janë shpallur të përfunduar katër nga tetë stadiumet e botërorit, të cilat janë “Khalifa International Stadium”, “Al Janoub Stadium”, “Education City Stadium” dhe “Al Rayyan Stadium”. Ndërkohë, punimet kryesore janë plotësuar edhe në disa stadiume të tjera, të cilat së bashku me pjesën e mbetur të stadiumeve, pritet të finalizohen një vit para fillimit të botërorit për të qenë të gatshme në një kohë të mjaftueshme para nisjes së eventit global.

Si Ambasador i Katarit në Shqipëri, më gëzon fakti që një numër i madh qytetarësh shqiptarë, numri i të cilëve arrin disa mijëra, kontribuojnë në zbatimin e projekteve të Botërorit dhe zhvillimin e Katarit në përgjithësi. Shqiptarët në Katar nuk punojnë vetëm në sektorin e ndërtimit, por dhe në shumë sektorë të tjerë, si në turizëm, hoteleri, tregti etj. Ne jemi të kënaqur me praninë e tyre, dhe ata gëzojnë respekt dhe vlerësim  të plotë tek ne.

Thënë kjo, do të doja të nënvizoja se Shteti i Katarit ka ndërmarrë gjatë këtij viti hapa të rëndësishëm pozitivë në reformimin e tregut të punës. Në vazhdën e përpjekjeve për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, në gusht 2020 u miratua ligji i pagës minimale, i cili përcakton gjithashtu edhe sigurimin e një mjedisi pune dhe strehim dinjitoz e të shëndetshëm për ta, hap ky që konsiderohet i pari i këtij lloji në Lindjen e Mesme.

Gjithashtu, me dy dekret-ligje të tjera të miratuara këtë vit, janë bërë përmirësime në dispozitat që rregullojnë hyrje-daljen dhe qëndrimin e punëtorëve të huaj në Katar, si dhe lehtësojnë procedurat e ndryshimit të vendit të punës. Kjo do të bëjë të mundur thithjen e kapaciteteve dhe krahut të kualifikuar të punës, duke garantuar më tej të drejtat dhe sigurinë e tyre në punë, në përputhje me objektivat e zhvillimit njerëzor të përcaktuara në Vizionin Kombëtar të Katarit 2030. Këto ndryshime i garantojnë punonjësve të drejtën për t’u larguar pa një leje paraprake nga punëdhënësi apo për ta ndryshuar vendin e punës para përfundimit të kontratës fillestare, çka pritet të nxisë rritjen e konkurrencës së drejtë dhe stabilitetin e tregut të punës në Katar.

Ndërsa në vitin 2018, me anë të një ligji të posaçëm, Katari krijoi edhe Fondin e Mbështetjes dhe Sigurimit të Punëtorëve, i cili synon të shlyejë detyrimet e papaguara ndaj punëtorëve në rast se punëdhënësi apo kompania has vështirësi dhe nuk është në gjendje t’u kalojë pagat. Fondi gjithashtu garanton shpejtësinë e pagesës së detyrimeve financiare pas përfundimit të shërbimit.

Nga ana e saj, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) i ka vlerësuar lart ligjet e reja dhe i ka cilësuar ato si “një hap i madh përpara në procesin e reformimit të tregut të punës në Shtetin e Katarit”.

Me vazhdimin e krizës aktuale në rajonin e Gjirit, si është situata sot në Katar? Dhe çfarë zhvillimesh kanë ndodhur atje kohët e fundit, e kam fjalën edhe për zgjedhjet parlamentare që njoftoi Emiri kohët e fundit dhe që do të mbahen tetorin e ardhshëm?

 Pas më shumë se tre vite nga bllokada e imponuar padrejtësisht ndaj tij, Shteti i Katarit i ka kapërcyer pasojat e krizës falë udhëheqjes së tij vizionare, aftësisë së kuadrove të tij dhe potencialeve të mëdha që zotëron vendi.

Mund të them se situata sot është normale në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe shoqërore. Madje Katari sot është edhe më i fortë se ç’ishte para krizës, pasi ka realizuar me sukses arritje të mëdha në fusha të ndryshme, si në nivel kombëtar ashtu edhe atë ndërkombëtar. Mund të përmend këtu p.sh. hapjen e portit ndërkombëtar “Hamad” më 2017, i cili konsiderohet një nga portet më të mëdhenj dhe më modernë në rajon. Tashmë ky port është në proces zgjerimi, ashtu siç po zgjerohet edhe aeroporti ndërkombëtar “Hamad”, për të rritur kapacitetin e tij aktual nga 30 milion pasagjerë në vit, në 50 milionë pasagjerë pas përfundimit të zgjerimit. Ndër arritje të tjera, janë edhe ndërtimi i metrosë së re të Dohas, gjetja e alternativave të reja për tregjet kombëtare nëpërmjet rritjes së prodhimit të gazit të lëngët natyror dhe eksportimit të tij, zgjerimi i investimeve të jashtme për diversifikimin e burimeve të të ardhurave kombëtare, si dhe zbatimi i projekteve madhore në sektorë të ndryshëm të industrisë, prodhimit dhe bujqësisë brenda vendit, për të siguruar vetëmjaftueshmërinë. Krahas tyre, Katari ka zgjeruar dhe forcuar më shumë partneritetin dhe aleancat tij ndërkombëtare.

Ne në Katar besojmë se në këtë krizë nuk ka asnjë fitues, përkundrazi rezultati i vetëm i krizës është më shumë paqëndrueshmëri në rajon. Tejzgjatja e krizës do të sillte sfida edhe më të rrezikshme në rajonin e Gjirit, sidomos në kohën e trazuar që po kalon tani kjo hapësirë. Prandaj dhe Shteti i Katarit ka vullnet për arritjen e një zgjidhjeje të drejtë, e cila do të garantonte të drejtat dhe interesat e të gjitha palëve. Por vullnetin për zgjidhje duhet ta kenë të gjitha shtetet palë. Që ditën e parë, Katari ka bërë dhe vazhdon t’u bëjë thirrje vendeve të bllokadës për zgjidhjen e krizës dhe mosmarrëveshjeve me mjete paqësore, duke u ulur në tryezën e bisedimeve.

Në këtë kuadër, Katari vlerëson përpjekjet e Emirit të ndjerë të Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, për të ndërmjetësuar arritjen e një kompromisi, përpjekje të cilat po i vazhdon tani pasardhësi i tij Emiri aktual i Kuvajtit, Sheikh Nawaf Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah. Sikurse vlerësojmë edhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje. Shpresojmë të shohim së afërmi realizimin e një zgjidhjeje përfundimtare.

Sa i përket koronavirusit, edhe Katari sikurse pjesa tjetër e botës, e ka gjetur veten para kësaj pandemie. Për frenimin e përhapjes së virusit, shteti ka implementuar mbyllje të pjesshme e sezonale të studiuara me kujdes, duke shtrënguar masat mbrojtëse dhe mbështetur sektorët ekonomikë të prekur nga pandemia. Kështu është gjetur një zgjidhje fleksibile, e cila nuk sakrifikon as shëndetin e njerëzve dhe as ekonominë. Katari nuk kursen asnjë përpjekje për t’iu përgjigjur shpejt dhe me efikasitet përballjes me pasojat e pandemisë, duke marrë të gjitha masat parandaluese për të zvogëluar ndikimin e krizës dhe mbrojtur qytetarët dhe rezidentët në territorin e tij.

Në rrafshin ndërkombëtar, Katari ka mbështetur përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë, duke i dhuruar OBSH-së 10 milionë USD për të mbështetur aksesin e shpejtë në pajisjet e testimit dhe trajtimit të koronavirusit; si dhe 20 milionë USD për Aleancën Globale për Vaksinim dhe Imunizim (GAVI). Katari vijon të mbështesë përpjekjet për prodhimin e vaksinës kundër Covid-19 dhe garantimin e shpërndarjes së saj në mënyrë të drejtë për vendet më në nevojë. Sikurse ka ndihmuar më shumë se 70 vende, mes tyre dhe Shqipërinë e Kosovën, me pajisje, aparatura dhe materiale të nevojshme mjekësore, si dhe me spitale fushore.

Në lidhje me zhvillimet e tjera gjatë kësaj periudhe, Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, shpalli para pak kohësh mbajtjen e zgjedhjeve të para legjislative në vend për Këshillin e Shuras (Asamblenë Konsultative ose Parlamentin), zgjedhje të cilat do të zhvillohen në tetor të vitit të ardhshëm, bazuar në kushtetutën e dalë nga referendumi i vitit 2003 dhe të dekretuar në vitin 2004.

Ky hap, është natyrisht i rëndësishëm për forcimin e traditave vendimmarrëse dhe zhvillimin e procesit legjislativ në Shtetin e Katarit me një pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve në këto procese.

Shumë vende, parlamente dhe organizata ndërkombëtare e kanë mirëpritur këtë hapje të re historike të Katarit, duke e cilësuar si një zhvillim dhe progres të rëndësishëm politik, pasi Këshilli i Shuras do të luajë një rol më të madh në jetën politike, në ligjvënie dhe në përcaktimin e buxhetit vjetor të shtetit.

Një pyetje të fundit z. Ambasador. E gjithë bota po kalon tani një fazë të ndërlikuar. Ndërkohë, Lindja e Mesme njihet si rajon i tensionuar dhe me shumë konflikte. Për mendimin Tuaj, si është gjendja sot në këtë rajon?

Fatkeqësisht, kjo është e vërtetë. Sikurse e ceka pak më parë, Lindja e Mesme po kalon një fazë të rrezikshme. Konfliktet e armatosura dhe luftërat në rajon vazhdojnë të shkaktojnë vdekje, shpërngulje dhe vuajtje tek njerëzit, veçanërisht në Palestinë, Libi, Siri dhe Jemen.

Nga ana e tij, Katari është tërësisht i përkushtuar për arritjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, dhënien fund të konflikteve, respektimin e sovranitetit të vendeve dhe ndalimin e ndërhyrjes në punët e tyre të brendshme, sikurse mbështet kërkesat legjitime të popujve arabë për të jetuar në liri dhe dinjitet.

Shteti i Katarit i ka shprehur qartë dhe me vendosmëri qëndrimet e tij të për situatën në rajon, duke theksuar nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për çështjen palestineze, duke patur parasysh që ajo është kauza kryesore arabe dhe myslimane. Zgjidhja e shumëdëshiruar arrihet nëpërmjet zhvillimit të negociatave me palën izraelite, bazuar në vendimet e legjitimitetit ndërkombëtar me dy shtete, e cila krahas Izraelit, parasheh krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967 me kryeqytet Jeruzalemin Lindor.

Në harmoni me qëndrimet dhe angazhimet e tij të palëkundura në mbështetje të popullit palestinez, Katari është në pararojë të vendeve që mbështesin organizatën e UNRWA-s (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punësimin e Refugjatëve të Palestinës në Lindjen e Afërt), duke dhënë përmes Fondit të Katarit për Zhvillim më shumë se 100 Milionë USD që nga viti 2015 e deri më sot.

Lidhur me situatën tragjike në Jemen, Katari qëndron në krah popullit jemenas në mbrojtje të sigurisë dhe integritetit territorial të vendit, dhe apelon për domosdoshmërinë e ndalimit të luftës dhe nxitjes së palëve në konflikt drejt arritjes së pajtimit kombëtar, në përputhje me rezultatet e Dialogut Kombëtar, iniciativës së Gjirit dhe Rezolutës 2216 të Këshillit të Sigurimit.

Sa i përket Libisë, Katari mbështet unitetin, stabilitetin dhe sovranitetin e saj, dhe bën thirrje për ndalimin e gjakderdhjes, dhe ruajtjen e pasurive kombëtare të popullit libian. Gjithashtu, Katari përshëndet marrëveshjen e armëpushimit dhe ndërprerjes së operacioneve luftarake në territoret libiane, si dhe aktivizimin e procesit politik, në përputhje me Marrëveshjen e Skhirat të vitit 2015.

Në lidhje me Sirinë, Katari i qëndron pozicionit të tij për çuarjen para drejtësisë të përgjegjësve për krimet e luftës kundër civilëve dhe nevojës për të adresuar situatën e të shpërngulurve dhe refugjatëve sirianë të shpërndarë anembanë botës. Shteti i Katarit vazhdon të mbështesë me ndihma humanitare zonat e zhvendosjes me forcë dhe kampet e refugjatëve, si dhe të përkrahë çdo përpjekje ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje politike në Siri.

Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe rolin e Katarit si mikpritës i nënshkrimit të marrëveshjes historike të paqes midis Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve në shkurtin e kaluar, si dhe mbështetjen e tij për vazhdimin e dialogut të brendshëm ndër-afgan mes qeverisë dhe forcave të tjera politike përfshirë dhe talibanët, për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb