Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri Anar Huseynov vizitoi sërish universitetin “Luarasi” ku u mirëprit nga rektori Ruka, kryetari i Bordit të administrimit, ambasador Dashnor Dervishi dhe stafi drejtues i këtij universiteti. Në tryezë u bisedua dhe u shkëmbyen mendime mbi një bashkëpunim mes dy palëve.

Kryediplomati azer duke i vënë theksin programeve të bashkëpunimit në fushën e arsimit që kjo ambasadë ofron, u shpreh se personalisht të krijojë ura komunikimi për të krijuar lidhje me institucione të rëndësishme arsimore në Baku të Azerbajxhanit.

“Këtu tek universiteti ‘Luarasi’ kam ndier mikpritjen e vërtetë. Sapo të rikthehemi në normalitet, flas për fushën e arsimit, unë personalisht e vlerësoj ofertën tuaj për të informuar studentët tuaj për Azerbajxhanin sidomos ne sferën e gjeopolitikës. Në këndvështrimin tim shkëmbimet e studentëve, të rinjve dhe dijeve dhe në fushën e arsimit është diçka e paçmuar. Dëshiroj që shumë studentë të përfitojnë nga bursat dhe të studiojnë në Azerbajxhan, pasi ne për Ballkanin nuk jemi vetëm vendi i ‘gazit’. Kur të hapen kufijtë shpresojmë këtë vit që ju mund të vizitoni Azerbajxhanin”, u shpreh ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov.

Ndërkaq rektori i universiteti “Luarasi” prof. Et’hem Ruka e prezantoi ambasadorin Huseynov me arritjet e deritanishme të Luarasit, me ambiciet e tij dhe stafit akademik për ta bërë atë lider jo vetëm në vend por edhe më tej. Ruka falënderoi ambasadorin i cili po punon për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes Luarasit dhe institucioneve të arsimit e lartë në Baku.

“Pas vizitës së parë ju keni bërë çfarë është e mundur për të lidhur universitetin tonë me universitetet e vendit tuaj, ju falënderoj për përpjekjet e tuaja për të na afruar më universitetet e vendit tuaj. Jemi shumë të interesuar për të lidhur një marrëveshje bashkëpunimi”, u shpreh rektori i universitetit “Luarasi” prof. Et’hem Ruka gjatë bisedës më ambasadorin Huseynov.

Ambasadori azer ka dhuruar edhe disa libra, nga fusha historike, kulturore, artistike, politike, te vendit te tij teksa bëri me dije se po përgatit edhe disa botime në gjuhën shqipe për Azerbajxhanin.

“Gjatë kësaj vizite nuk erdha duarbosh, por solla edhe disa libra për bibliotekën e universitetit tuaj. Librat janë nga fusha e ekonomisë, kulturës, politikës, unë gjithashtu po punoj të botoj disa libra për vendin tim por në gjuhën shqipe. Dëshiroj që edhe në universitetet në Baku të krijohet një seksion me libra për Shqipërinë pasi pak e njohin vendin tuaj”, u shpreh ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb