Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, organizoi një takim të veçantë në Kryeministrinë e Shqipërisë me kryeministrin e Shqipërisë z.Edi Rama ku ishin të pranishëm fëmijë nga Biblioteka “Linkest” në Manastir.
Takimi u zhvillua në kuadër të promovimit të gjuhës dhe kulturës shqipe jashtë kufijve. Fëmijët patën mundësinë të ndajnë përvojat e tyre dhe të tregojnë për dashurinë ndaj gjuhës shqipe dhe leximit të librave në shqip.
Në fjalën e tij, ambasadori Meidani theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si një element thelbësor të identitetit kombëtar. “Çdo fjalë e mësuar, çdo libër i lexuar në shqip është një urë që lidh brezat dhe një dëshmi se bijtë e shqipes, kudo që janë, e mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre. Ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit”, tha ai.
Ky aktivitet nënvizon përpjekjet për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore shqiptare, duke i dhënë mundësi fëmijëve që të njihen me historinë, librin dhe identitetin e tyre kombëtar, edhe jashtë Shqipërisë.
Me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, libri dhe gjuha shqipe vazhdojnë të lidhin shqiptarët kudo që janë.
