Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka zhvilluar një vizitë mirësjelljeje me kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji. Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi të Ambasadës Holandeze në rrjetet sociale.
Gjatë takimit, ambasadori Vos e përgëzoi znj. Papajorgji për zgjedhjen e saj në krye të Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësoi rolin kyç që ky institucion ka në garantimin e Kushtetutës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve shqiptarë.
Ambasada Holandeze riafirmoi gjithashtu angazhimin e saj të fortë për të mbështetur forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe funksionale për konsolidimin e demokracisë dhe përparimin e vendit drejt integrimit europian.
