Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, Riza Poda, ka paraqitur zyrtarisht Letrat Kredenciale pranë Sh.T.Z. Xi Jinping, President i Republikës Popullore të Kinës, në një ceremoni solemne të zhvilluar në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.
Presidenti Xi Jinping i uroi Ambasadorit Poda mirëseardhjen dhe shprehu besimin në vijimësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Poda përcolli përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, dhe riafirmoi përkushtimin e tij për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Në këtë shkëmbim miqësor, të dy palët theksuan lidhjet e forta dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Kinës, të cilat janë të rrënjosura në një histori të përbashkët tradicionale dhe respekt të ndërsjellë. Ambasadori Poda vlerësoi rolin e rëndësishëm të Kinës në skenën globale dhe shprehu angazhimin për të nxitur më tej bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Paraqitja e Letrave Kredenciale shënon fillimin zyrtar të misionit diplomatik të Ambasadorit Poda në Kinë.
