“Puna në këtë punishte është sfidë më kohën. Pakkush e di se në Tiranë po prodhohen me pasion, precizion dhe shpejtësi autoambulancat e luftës që do të dërgohen në Ukrainë. Nevoja për to është mjaft madhe në një kohë kur qytetet në Ukrainë po bombardohen çdo ditë dhe jeta e shumë qytetarëve por jo vetëm është në rrezik”
Pas më shumë se dy muaj luftë, infrastruktura mjekësore në Ukrainë është dëmtuar ndjeshëm për shkak të sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë ruse ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor. Për të mbështetur nevojat emergjente shëndetësore që ka ky vend në luftë, një kompani është angazhuar para OKB të pajisë autoambulancat me të gjitha mjetet e duhura.

Arjeta Puca, drejtuese e kompanisë thotë deri më sot në Tiranë po punohet për të dorëzuar 11 autoambulancat e para për në zonat e luftës në Ukrainë por porosia është për 500 të tjera mundësisht edhe të blinduara e të padepërtueshme nga plumbat e predhat pamëshirshme të armikut.

“Ne kemi marrë një porosi pak kohë më parë, është porosia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Punën për t’i pajisur ne e kemi nisur të hënën e kaluar pra para 7 ditësh. Duhet t’i dorëzojmë me shumë urgjencë ambulancat brenda dy javëve. Do dorëzojmë 11 ambulancat e para, më pas kemi 42 të tjera për të dorëzuar në kohë, nuk është kohë normale për t’i dorëzuar brenda kësaj kohë të kufizuar, të paktën do dy muaj është standardi, ne po përpiqemi të bëjmë maksimumin. Problemi është që nuk gjejmë shasi, në gjendje lufte nevoja është shumë e madhe. Na kanë kërkuar 250 ambulanca të blinduara, janë jashtë mase shumë”, thotë për gazetaren e News 24 Aurora Golemi, themeluesja e kompanisë që prodhon ambulanca Arjeta Puca.

Pajisja e mjeteve me gjithçka që do t’i shndërronte ato në ambulancë, bëhet në Parkun Industrial të Tiranës, ku punohet më intensitet të lartë dhe shpejtësi. Punonjësit, përfshirë edhe vajza inxhiniere që po instalojnë rrjetet elektrike punojnë me turne pa pushim për t’i dorëzuar porositë sa më shpejt të jetë e mundur në destinacion. “Po punojmë ditë e natë, gati 24 orë. Do i kemi gati brenda dy javësh. Kemi kërkesa për 500 autoambulanca si dhe për ambulanca të blinduara. Po punojnë shumë shpejtë për ti dorëzuar ne Austri sa më shpejt dhe nga aty do nisen për në Ukrainë”, -shprehet Puca.

Këto ambulanca nuk janë të pajisura brenda si ambulancat e tjera standarde, kanë 120 artikuj më tepër, madje Arjeta, thotë për News 24 se shton në shenjë solidariteti dhe pa asnjë pagesë me shumë artikuj sesa kërkohen, kryesisht për fëmijët dhe gratë shtatzëna.

“Më thënë të drejtën, buxheti është pak i kufizuar, por ne kemi dëshirë të ndihmojmë pavarësisht atij buxheti, këtu ka shumë pajisje ndryshe sesa në një ambulancë standarde, kemi allçi, infuzion, kateter, seti i lindjes batanije kundër zjarrit, të ftohtit. Kemi 140 artikuj, janë shumë për një ambulance se zakonisht kemi deri ne 20 artikuj. Ukraina është një teme delikate, edhe pse është biznes ne e prekim këtë situatë. Mundohemi të ndihmojmë dhe shtojmë artikuj psh për fëmijët kemi aparate për të matur tensionin, janë me ngjyra. I kemi shtuar edhe disa ndihma të tjera të vogla nga ana jonë”, shprehet Arjeta Puca për News 24.

Ambulancat e luftës për në Ukrainë “Made in Albania”, padyshim do të shërbejnë për të ofruar kujdes jetik shëndetësor dhe për të shpëtuar jetë, në zemër të Europës aty ku sot ka më shumë nevojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb