NGA ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE- Ditën e djeshme Bash kia e Tiranës është rrethuar nga qindra tregtarë ambulantë, të cilët janë nën kërcënimin e tatimorëve se do t’u bllokohet malli, pasi shesin pa kasë fiskale. Në protestë kanë qenë tregtarët që ushtrojnë aktivitetin te Stacioni i Trenit, por pas tyre ishin edhe qindra tregtarë të tjerë që shesin rroba dhe këpucë të përdorura pranë spitalit nr.5 në kryeqytet.
Një përfaqësi e tregtarëve kanë takuar specialistët e bashkisë, në mënyrë që t’i gjejnë një zgjidhje për situatën e tyre. Por bashkia i ka përcjellë duke u thënë se nuk është kompetencë e tyre, por e Drejtorisë së Tatimeve, edhe pse sipas personave që ishin në takim me specialistët e bashkisë, u diskutua edhe çështja që ata të regjistrohen dhe më pas të paguajnë një taksë minimale në bashki si ambulantë, pasi ata nuk kanë dyqane, por shesin nëpër tezga.
“Kryebashkiaku Veliaj ka thënë edhe në deklarata të tjera se ambulantët të shesin në tregjet publike dhe të paguajnë 1000 lekë të vjetra dita. Edhe ne këtë u kërkuam që të kemi një taksë minimale, pasi nuk e përballojmë dot me këto gjëra të vjetra që shesim me zor ushqehemi”, tregon një prej tregtarëve që ushtron aktivitetin te Stacioni i Trenit.
AMBULANTËT &PROTESTA
Mëngjesin e djeshëm para Bashkisë së Tiranës janë zhvilluar dy protesta nga tregtarët ambulantë që shesin te tregu te Stacioni i Trenit si dhe ambulantët që shesin në zonën pranë spitaleve. Në secilin prej këtyre tregjeve ushtrojnë aktivitetin minimalisht nga 400 tregtarë, pra janë rreth 800 familje të Tiranës, që bukën e gojës e fitojnë me paratë që fitojnë duke shitur nëpër tezga.
“Tregu te Stacioni i Trenit ka rreth 15 vite që ushtron aktivitetin. Ne paguajmë pronarin e tokës për hapësirën që i zëmë me tezga dhe është 5 mijë lekë për 3 m2. Kush ka sipërfaqe më të madhe, paguan më shumë. Nuk e dimë se ai është apo jo i licencuar, pasi edhe më parë na kanë ardhur punonjës të bashkisë dhe pronari i tregut e ka zgjidhur këtë çështje. Ajo që mund të themi është se nëpërmjet kësaj pune familja ime siguron ushqimin, pasi kjo është e vetmja e ardhur që ne kemi si familje, pasi dhe burri dhe fëmijët janë të papunë. Ne nuk kemi dyqan, shesim nëpër tezga, çfarë kase fiskale do përdor, apo të shënoj se shita një pakë këpucë apo një palë pantallona. Shteti duhet të mendojë për familje si ne, që jemi në varfëri dhe jo të na nxjerrë në rrugë dhe të na lëshojë tatimorët duhet na hequr bukën e gojës”, thotë e irrituar një prej shitëseve në tregun te Stacioni i Trenit.
Po kjo situatë është edhe me rreth 400 tregtarë që shesin pranë spitalit nr.5, pasi pjesa dërrmuese e tyre në të dyja tregjet shesin rroga ‘gabi’, produkte të përdorura. Pas protestës së zhvilluar të bashkia, tregtarët iu drejtuan Avokatit të Popullit, i cili mori përsipër të bëjë verifikime dhe më pas nëse konstatohen shkelje të të drejtave të tyre, tua përcjellë ato institucioneve.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
