I paraqitur kryesisht si një akt mbrojtjeje ndaj popullit amerikan kundër një regjimi venezuelian që kërkon të destabilizojë Shtetet e Bashkuara duke eksportuar drogë dhe kriminelë të liruar nga burgjet e Maduros, sulmi i SHBA në Venezuele ka mbi të gjitha një rëndësi gjeopolitike me ndikime të thella edhe në ekonomi.

Në rastin e Venezuelës, Trump i është kthyer Doktrines Monroe e shpallur në vitin 1823.

Kjo doktrinë bazohet në parimin themelor të politikës së jashtme “Amerika e amerikanëve”. Asokohe me këtë doktrine synohej zhvendosja e fuqive koloniale europiane.

Në vitet 80-të SHBA e riinterpretoi doktrinën Monroe me pretendimin ndaj Amerikës Latine si hemisferë e saj.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump duket se po i referohet kësaj epoke dhe do të rivendosë dominancën e SHBA-së në rajon.

Venezuela prej kohësh është bërë një furnizuese kryesore e naftës bruto për kundërshtarët e SHBA-së: Kinën, Rusinë dhe Iranin, si dhe Kubën.

Kjo situatë është e patolerueshme në sytë e Trump. Presidenti amerikan ka përdorur trafikun e drogës si shpjegim për presionin në rritje që ka ushtruar ndaj Venezuelës që nga muaji gusht.

Qeveria amerikane po përdor AUMF, një ligj “autorizimi për përdorimin e forcës ushtarake” të miratuar në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 nga Al Kaeda në Nju Jork dhe Uashington.

Këto dispozita lejojnë veprime të menjëhershme, pa miratim parlamentar, kundër organizatave terroriste që kërcënojnë SHBA-në. Ky ligj u përdor nga administrata Bush për sulme kundër talebanëve dhe Al Kaedës dhe më pas, në vitin 2003, kundër Irakut.

Uashingtoni deklaron se sulmet ndaj anijeve të huaja në ujërat ndërkombëtare dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë kundër diktatorit venezuelian janë legjitime sepse nuk janë akte lufte, por operacione kundër terrorizmit.

Trump në fakt e ka “ulur” Maduron nga udhëheqës venezuelian në “narko-terrorist”, duke deklaruar se ai personalisht kryeson Cartel de los Soles: një organizatë trafikimi droge e shpallur “organizatë e huaj terroriste” nga qeveria amerikane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: