Pandemia e Covid-19 nuk ka penguar qeverinë shqiptare për të rikthyer në axhendën e saj dhe në fokus të debatit publik iniciativën ligjore mbi amnistinë fiskale, propozimi dhe formulimi konkret i së cilës nuk dihet akoma.
Në parim, për aq kohë sa në moralin e shoqërive demokratike pranohet aministia e dënimit me vdekje, nuk ka pse të quhet herezi amnistia fiskale. Megjithatë, eksperienca jonë dhe e shumë vendeve të tjera në raport me amnistinë fiskale dëshmojnë skepticizëm të arësyeshëm për suksesin e saj, sidomos në mungesë të disa parakushteve.

Së pari, ka nevojë për një konsensus politik dhe mbështetje të gjerë të opinionit publik. Ekziston “rreziku moral” i perceptimit publik se amnistia fiskale “shpërblen” informalitetin e pandershëm, inkurajon evazionin fiskal gërryes për buxhetin e shtetit, si dhe nxit pastrimin e parave të pista të krimit të organizuar duke “kapur” ekonominë dhe shtetin.

Së dyti, riciklimi i amnistive fiskale çdo 5 apo 10 vjet krijon pabarazi në trajtimin fiskal dhe në konkurencën e lirë të ekonomisë së tregut, duke dekurajuar biznesmenët dhe taksapaguesit e ndershëm, si dhe duke avantazhuar potencialisht të amnistuarit.
Së treti, nuk mund të ketë një amnisti fiskale, pa një amnisti ligjore për subjektet përkatëse. Cfarë garancie ligjore kanë individët dhe bizneset që pas një farë kohe pas amnistisë nuk do te jenë subjekte të hetimit të institucioneve të specializuara ligjzbatuese?
Së katërti, për aq kohë sa nuk kemi përmisim të klimës së biznesit, oportuniteteve të investimeve dhe efiçencës së administratës tatimore, do të jetë shumë e vështirë që të bindësh emigrantët apo diasporën shqiptare që të “riatdhesojnë” në Shqipëri paratë e tyre përtej fondeve të remitancave, për të cilat nuk kanë nevojë të amnistohen.

Pretëndimi i qeverisë është se aministia fiskale do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e të ardhurave buxhetore. Në kushtet aktuale, të dy objektivat duken të parealizueshme. Pse një biznes informal apo një i vetpunësuar në të zezë apo një evazionist do tundohet që të paguaj 5 % apo 10% për të amnistuar paratë që nuk i justifikon dot, duke e ditur se nga ai moment e tutje do të duhet të paguaj 15% deri në 23% taksa dhe tatime. Informaliteti i lartë prej 35%-40% e ekonomisë shqiptare buron mbi të gjitha tek barra e lartë fiskale dhe taksat e “fshehura”, ku bizneset dhe individët tundohen të operojnë në informalitet ne kushtet kur kostot janë krahasimisht më të ulta. Gjithashtu, eksperienca e deritanishme e amnistive të mëparshme dëshmon se të ardhurat buxhetore nga ky operacion janë rritur modestisht. Pra, përfitimet e shpejta buxhetore janë më të vogla sesa kostot potenciale afatgjata në ç’orientimin e sistemit dhe administrimit fiskal.

Në këtë kontekst, çfarë duhet të bëjmë që një amnisti fiskale të jetë e suksesshme për ekonominë në tërësi dhe për buxhetin në veçanti? A mund ta shfytëzojmë amnistinë fiskale si një “momentum” për të ndihmuar financiarisht qeverinë në këto kohë të vështira financiare?

Qartazi, amnistia fiskale për të qënë e suksesshme, duhet të shoqërohet me një reformë të qëndrueshme dhe të thellë fiskale, si dhe me garancitë e nevojshme ligjore që kjo amnisti do të jetë e fundit e kësaj natyre.
Qeveria duhet të përdor instumenta kreativë në funksion të amnistisë fiskale duke mos u limituar vetëm tek arkëtimi buxhetor i “taksës së amnistisë”, apo thjesht shtimin e stokut të depozitave në sistemin bankar, i cili aktualisht është mjaftueshmërisht likuid. Pra, në këtë rast efekti në ekonomi dhe në buxhetin e shtetit do ishte me një impakt modest.

Një ide inovatore mund të ishte që amnistia fiskale të kushtëzohej me instumentin e blerjes së “bonove të thesarit” nga individët apo biznesit që duan të amnistojnë paratë e tyre. Në këtë mënyrë, qeveria mund të financon edhe borxhin publik duke shfrytëzuar paratë e amnistuara më një normë interesi shumë më të ulët sesa kreditë aktuale të siguruara edhe nga institucionet financiare. Pra, qeveria mund të arkëtoj edhe taksën 5% apo 10% të amnistisë së bashku me financimin e borxhit po nga paratë e amnistuara, duke kanalizuar këto para në instrumenta investimi. Kjo do të ishte një politikë e zgjuar e qeverisë për të siguruar financime të mëdha në një kohë të shkurtër, sidomos tani që ekonomia ka nevojë për injektim parash direkt si për individët ashtu edhe për bizneset.

Nga ana tjetër, duhet një paketë e re taksash që do të synonte një zhvendosje të barrës fiskale nga kapitali njerëzor, apo tatimi i të ardhurave personale drejt taksasve dhe tatimit mbi pasurinë dhe stokun e kapitalit fizik.

Thënë ndryshe, propozimi im do të ishte që të kemi ulje të tatimit mbi të ardhurat personale për punonjesit nga 15% apo 23%, në 8%. Po ashtu edhe tatimi mbi fitimin për bizneset mund të reduktohet deri në 8%. Për ekuilibrim të të ardhurave buxhetore, ka ardhur koha që të tatojmë pasurinë neto (asete totale minus borxhe totale), jo vetëm të ardhurat dhe fitimet e individëve dhe bizneseve. Psh. kompania gjigande Google pjesën më të madhe të biznesit e ka të regjistruar në vende“off-shore”, duke shmangur ligjërisht taksat dhe tatimet. Si kudo në botë edhe në Shqipëri kemi njerëz të pasur që deklarojnë të ardhura modeste sepse nuk tatohet pasuria por të ardhurat apo fitimi i kompanive. Nuk është e ndershme që punonjësit të tatohen deri në 23%, ndërsa dividendi i korporatave 8%.

Një propozim interesant mund të ishte që kushdo që ka një pasuri në shumën e 500 mijë euro deri në 1 milion euro, të paguajë 1% taksë vjetore mbi këtë pasuri neto. Kushdo që ka një pasuri mbi 1 milion euro, të paguajë një taksë vjetore 2% të pasurisë neto.

Në kushtet aktuale të pandemisë së koronavirusit, të recesionit ekonomik të dhimbshëm dhe papunësisë së lartë, të shoqëruar me rënie drastike të të ardhurave si për individët dhe bizneset, qeveria nuk ka shumë opsione për të financuar ekonominë. Taksa mbi pasurinë për 1%-shin më të privilegjuar të të pasurve nuk mund të jetë tabu, por nevojë e kohës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb