Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një deklaratë për mediat ditën e sotme ka thënë se amnistia fiskale nuk synon të ligjërojë kursimet e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit por synon të fusë në sistemin bankar qindra miliona euro evazion të kompanive me bekimin dhe në shërbim të qeverisë aktuale”.

Meta shtoi se përveç amnistisë fiskale, një tjetër shqetësim i FMN ishte marrja e masave për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga kriza ekonomike, për të cilën sipas tij “qeveria nuk ka bërë asgjë përveç disa thërrimeve për qëllime propagande”.

“Amnistia fiskale nuk synon të amnistojë kursimet e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit por synon të fusë në sistemin bankar qindra miliona euro evazion që është bërë nga kompani të ndryshme me bekimin e qeverisë aktuale. Rreth 180 mln euro evazion fiskal janë provuar nga përfaqësues të kësaj force politike dhe janë shumë të tjera që do konfirmohen në të ardhmen. Kjo synon të heqë përgjegjësinë e qeverisë nga këto operacione që i kanë hequr buxhetit të shtetit qindra miliona euro.

Shqetësim tjetër i FMN ishte marrja e masave për të mbrojtur shtresat më në nevojë që po goditen nga kriza. Duhet që qeveria nuk ka bërë asgjë përveç disa thërrimeve për qëllime propagande. Vetëm para një dite Maqedonia miratoi paketën 350 mln euro, rreth 42 mijë familje marrin 200 euro në muaj, 50 euro për çdo kategori sociale, etj.Ka shtuar 52 mln euro në ndihmë të bujqësisë së saj”, u shpreh Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb