Botërori “FIFA2026” rezultoi një turne unik në çdo aspekt, por përtej spektaklit në fushë, ky turne u shoqërua edhe me një super organizim dhe me masa shumë të rrepta sigurie. Së fundmi, mediat kanë zbuluar edhe disa skenarë, apo prapaskena me të vërtetë alarmante që lidhen me sigurinë e disa prej personazhe kryesorë.

Sipas të përditshmes spanjolle Marca, një raport i policisë amerikane zbulon ndërhyrjet e FBI-së dhe Qendrës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor për të parandaluar kërcënime serioze ndaj futbollistëve dhe arbitrave. Në shënjestër të kërcënimeve ishte veçanërisht Lionel Messi. Para ndeshjes së Argjentinës me Jordaninë, një telefonatë në aeroportin e Dallasit ngriti alarmin. Një person kërcënoi se do të hynte në stadium me dy bashkëpunëtorë, i armatosur dhe me bomba artizanale, duke e identifikuar Messin si objektiv. Një tjetër kërcënim u shfaq në rrjetet sociale para ndeshjes Argjentinë-Egjipt. Një person pretendoi se do të hynte në stadiumin e Atlantës dhe do të përdorte bomba kundër yllit argjentinas. Gjatë takimit u raportua gjithashtu për bomba të dyshuara në tribunat e stadiumit. Njësitë antieksploziv kontrolluan zonën dhe konfirmuan se alarmi ishte i rremë.

Edhe Cristiano Ronaldo u përfshi në incidentet e sigurisë. FBI-ja u alarmua për një person që kërkonte informacione konfidenciale mbi hotelin e kombëtares portugeze. Ai u identifikua dhe u arrestua më vonë brenda hotelit. Në Toronto, një tjetër person u ndalua teksa tentonte të hynte në ashensorin e rezervuar për Ronaldon. Pretendimi i tij? Donte vetëm një selfie me idhullin. Kërcënimet nuk i shpëtuan as arbritrat apo zyrtarë të FIFA, por e gjitha kjo situatë kaotike ndodhi në prapaskenë, të zbuluara vetëm së fundmi nga mediat botërore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb