Libri “Enciklopedia e Dhimbjes: Kronika e Emigrimit në Vargje”, i akademik Kosta Barjaba dhe Joniada Barjaba, PhD, botuar së fundi nga Akademia e Shkencave, përfaqëson një arritje të veçantë në fushën e studimeve kulturore dhe sociologjike shqiptare. Duke qëmtuar, përzgjedhur dhe interpretuar vargjet popullore për emigracionin, prej kohëve të kreshnikëve shtegtarë deri në ditët e sotme, autorët Kosta dhe Joniada Barjaba kanë pasqyruar një lexim të thellë shkencor dhe humanist, duke e kthyer botimin në një enciklopedi jo vetëm të emigrimit, por të kujtesës kolektive të shqiptarëve. Vepra shquhet për origjinalitetin metodologjik, saktësinë analitike, interpretimin interesant dhe vlerën dokumentare që i jep studimit të emigracionit përmes kulturës popullore që trajtojnë temën e ikjes, mallit, humbjes dhe rikthimit. Përmes kësaj metodologjie, ndër të parat dhe të paktat në studimet shqiptare, autorët kanë rindërtuar një histori të përjetimeve individuale dhe kolektive të emigrimit, të shprehur përmes mjeteve simbolike dhe narrative të folklorit.

B1ba991d 46df 4e2c 900a 4c9f4688e2d3
B1ba991d 46df 4e2c 900a 4c9f4688e2d3

Në këtë pasuri të madhe shpirtërore reflektohen përmasat antropologjike të emigrimit, që nga dimensioni ekonomik, shoqëro e politik i lëvizjeve migratore të shqiptarëve, plotësuar nga përjetimet emocionale dhe formësimi i identitetit të diasporës. Libri vjen si një projekt i dy brezave të mendimit sociologjik, akademikut Kosta Barjaba, studiues me kontribut të spikatur në analizën e migracionit dhe transformimeve demografike të shoqërisë shqiptare, dhe Dr. Joniada Barjaba, shkollare e formuar në qendrat më prestigjioze akademike ndërkombëtare, si Universiteti Stanford dhe Universiteti Emory në SHBA dhe Universiteti Sussex në Britaninë e Madhe. Kontributi i Kosta Barjabës sjell thellësinë e përmbajtjes dhe analizës, rezultat i përvojës së tij të gjatë kërkimore si themelues i studimeve mbi emigrimin bashkëkohor të shqiptarëve, ndërsa Joniada Barjaba i jep veprës ndjeshmëri bashkëkohore, qasje bashkëkohore dhe modernitetin e paraqitjes.

Si anëtare e Akademisë së të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Dr. Joniada Barjaba, kjo studiuese e re dhe me perspektivë, e botuar dhe e cituar në mjaft mjedise akademike ndërkombëtare, po kontribuon në fushën e studimeve mbi temat e lëvizjes së popullsisë, politikave të diasporës, zhvillimit të qëndrueshëm dhe kapitalit social të migracionit. Me kërkimet e botimet e saj, Joniada po sjell një perspektivë empirike dhe moderne mbi dinamikat e sotme ekonomike, sociale, demografike e kulturore të shoqërisë shqiptare. Në aspektin metodologjik, vepra ndërton një paradigmë analitike të dyfishtë: nga njëra anë, përdor qasjen etnografike për të dokumentuar tekstet gojore në mënyrë autentike; nga ana tjetër, aplikon analizën sociologjike interpretative, për të nxjerrë në pah funksionet e tyre shoqërore dhe identitare. Kjo ndërthurje teknikash i jep studimit karakterin e një monografie kërkimore me vlerë të spikatur referuese, e cila e trajton emigrimin si proces historik dhe si përvojë kulturore. Në nivel konceptual, autorët e shohin emigracionin jo vetëm si një rrezik, por edhe si një mundësi të ruajtjes e riprodhimit të identitetit kombëtar në kushtet e globalizimit dhe të transformimeve demografike. Përmes një gjuhe poetike, autorët ndërtojnë një enciklopedi të përvojave njerëzore, ku çdo varg dhe çdo rrëfim pasqyron dhimbjen e mungesës, ndarjes dhe kërkimit të identitetit në hapësira të reja. Kjo formë e shkrimit kërkimor-poetik përfaqëson një kontribut origjinal në letërsinë sociologjike shqiptare, duke e vendosur dukurinë e emigracionit në një fushë të ndjeshme interpretimi humanist.

“Enciklopedia e Dhimbjes: Kronika e Emigrimit në Vargje” përbën një kontribut origjinal në sociologjinë shqiptare, sidomos në disiplinat e sociologjisë së kulturës dhe të proceseve migratore. Lexuesi ndien “gjeografinë emocionale” të emigrimit: shtëpitë e braktisura, portat e mbyllura, letrat e pashkruara, rrugët e gjata drejt një të ardhmeje të panjohur. Por përtej ndjeshmërisë poetike, qëndron një vetëdije e fortë kombëtare, sociale dhe historike. Kjo përforcohet edhe nga fakti që autorët i referohen përvojave migratore dhe krijimtarisë popullore rreth tyre jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga viset e tjera ku jetojnë shqiptarët. Autorët e shohin emigrimin jo vetëm si përvojë personale, por si pjesë të strukturës shoqërore, politike e kombëtare, që ka ndikuar fatin e shqiptarëve, duke dëshmuar se kujtesa dhe ndjenja kolektive mund të jenë një formë e vlefshme e prodhimit të dijes për dinamikat shoqërore të kombit shqiptar.

* Autori, Rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb