Edi Rama vazhdon të flasë çdo ditë, por problemi i tij politik është se nuk po thotë ndonjë gjë. Në vend të përgjigjeve ndaj akuzave që vijnë nga protesta për varfërinë, korrupsionin, shkatërrimi e territorit, mjedisit, kostos së jetesës, pastrimit të parave, shëndetësinë apo arsimin, Rama ka zgjedhur sulmin ad-hominem sipas parimit “mos u merr me çfarë thonë, por kush e thotë”.
Ai po shpik agjentura ndërkombëtare, nga Greqia fqinje deri në Iran, po spekulon se protestat maratonë janë fryt i algoritmit të Instagramit dhe jo i halleve të shqiptarëve, po nxit shqiptarë të diasporës të recitojnë kundër shqiptarëve të tjerë të diasporës, të cilët kërkuan të shtunën në Tiranë dorëheqjen e tij – e gjitha në stilin e “anti-mitingjeve të Enverit”.
Kryeministri po targeton gjithashtu personalisht protestues, po shkruan fletërrufe për Dritan Goxhajn dhe po i lutet një tjetër protestuesi që e kaloi natën në shkallët e kryeministrisë që tëmos gënjehet.
Në të paktat herë që u vu përballë pyetjes së “Financial Times” për autorësinë e korrupsionit sistemik në vend, ai përdori fjalor banal ndaj protestuesve. Të gjitha po i bën për të shmangur përgjegjësinë, e për pasojë edhe zgjidhjen.
Në fakt, Rama është i detyruar të sillet në këtë mënyrë, sepse nuk ka çfarë të thotë më. Protestuesit po i kërkojnë dorëheqjen dhe ndryshimin e sistemit kriminal politiko –ekonomik, të cilin ai e krijoi vetë dhe me të cilin u bë mbret. Ndaj i sulmon protestuesit, u bën biografitë dhe u shkruan fletë-rrufe.
Në të njëjtën linjë, Rama po angazhon të gjithë grupin e deputetëve që të reagojnë kundër algoritmit misterioz që sipas tij ngriti shqiptarët në protestë. Ka urdhëruar kontrollin e llogarive në rrjetet sociale dhe bankare të organizatorëve, pjesëmarrëseve dhe mbështetësve të protestës. Policia po shoqëron e procedon penalisht qytetarë që shkojnë e protestojnë paqësisht. Tatimorët dhe IKMT janë në aksion kundër “paligjshmërisë” së atyre që spikasin çdo ditë në bulevard.
Ky reagim flet shumë. Një pushtet i sigurt për veten dhe i bindur se gëzon mbështetjen e shumicës së shqiptarëve nuk ka nevojë të shpallë armiq të huaj dhe të nxisë shqiptarët kundër njëri- tjetrit. Ai përgjigjet me argumente dhe me zgjidhje.
Por pushteti i sotëm nuk ka sesi të jetë i sigurt në vetvete, pasi në themelet e tij qëndron korrupsioni financiar, politik dhe moral. I bërë njësh me shtetin, ai përdor mekanizmat e këtij të fundit për të sulmuar protestuesit, si e vetmja rrugë shpëtimi që i ka mbetur.
Kjo është arsyeja pse protesta ka fituar diçka më të madhe se plotësimi i kërkesave të saj. Ajo ka detyruar qeverinë të tregojë se të vetmet mjete të mbrojtjes janë diskretitimi dhe frikësimi.
Pyetja thelbësore që shmang Rama nuk është mbi organizatorët e protestës, por pse kaq shumë njerëz po ndjehen të përfaqësuar nga ajo.
Pse vazhdon të rritet numri i të rinjve që largohen nga ky vend? Pse askush nuk mendon se tenderët, koncesionet, lejet dhe lincesat fitohen me meritë? Pse rritet perceptimi se njerëzit me vlera në këtë vend janë demode? Pse të gjithë e dinë se partitë janë kthyer në reparte ushtarake prej marrëveshjes së 2008-ës? Pse është ngulitur bindja se Rama e Berisha janë bashkë dhe mbajnë njëri-tjetrin?
Këtyre pyetjeve Rama nuk u përgjigjet dot. Ndaj ka zgjedhur që t’i sulmojë dhe jo t’i dëgjojë protestuesit. Politikisht, ai nuk ka çfarë të thotë më. Edhe sikur të shpërndahet nesër, protesta e zbuloi këtë dobësi të pushtetit të tij./ MAPO
