Autoritetet më të larta të Kosovës, kërkojnë nga Bashkimi Evropian, që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Për Prishtinën këto masa janë të pashpjegueshme, të padrejta dhe të paarsyeshme.
Këtë deklaratë e bëri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras.
Në një njoftim për media të Presidencës, thuhet se në takim “Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore”.
“Pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë”, thuhet në njoftim.
Transferimi i pushtetit
Transferimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore u bë edhe në katër komunat në veri të Kosovës, në të cilat që nga java e kaluar udhëheqin kryetarët lokalë nga komuniteti serb, të përfaqësuar përmes Listës Serbe të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ishte pikërisht situata e tensionuar në veri pasojë që Kosova sipas autoriteteve ndërkombëtare u vu nën masa sanksionuese të BE-së, për shkak të siç thuhej veprimeve të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës. E tash sipas Presidentes Osmani, e cila nuk flet specifikisht për veriun, “heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave”.
“Presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave”, thuhet në njoftimin e Presidencës duke prezantuar, siç thuhet, “një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe”.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, njoftoi për vizitën në Prishtinë të raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras dhe tha se “angazhimi i BE-së me Kosovën mbetet i fortë, me mundësi të reja përpara”.
“E mirëprita këtë mëngjes në Prishtinë Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, para takimeve të tij me shumë bashkëbisedues. Angazhimi i BE-së me Kosovën, si në nivel lokal ashtu edhe nga Brukseli, mbetet i fortë si gjithmonë, me mundësi të reja në horizont, përfshirë Planin e Rritjes”, shkroi Orav në platformën X.
Bashkimi Evropian një ditë më parë, shprehu gatishmëri që të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës, pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit. Gazeta lokale Koha Ditore, citon një zëdhënës të BE-së i cili thotë se “Komisioni pret që Kosova të rikthehet në trajektoren e reformave të domosdoshme dhe të avancojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë – dy kushte thelbësore për përparim drejt BE-së”.
“Siç është thënë më herët, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e qetë të administrimit lokal në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve.
BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së”, citohet një zëdhënës i BE-së.
Sidoqoftë, kriza politike dhe institucionale mbi nëntë muajshe në Kosovë, pa qeveri me mandat, pa parlament dhe një cikël të ri zgjedhor në fund të dhjetorit, ka bllokuar ratifikimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, Marrëveshjes së Facilitetit dhe Marrëveshjes së Huasë. Plani i Rritjes së BE-së përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, por mosratifikimi në Parlamentin e Kosovës i marrëveshjes me BE-në ka bërë që Kosova të mos marrë asnjë qindarkë ende nga kjo shumë./DW/
