Nga vendet baltike dhe Lindja e Mesme, deri në Amerikën e Jugut dhe Tajvan, pesë zona të globit po shfaqen si më të ndjeshmet ndaj një përshkallëzimi të rrezikshëm në periudhën e ardhshme. Kështu vlerëson një analizë e publikuar nga The Independent, sipas së cilës një incident aksidental apo i qëllimshëm në cilëndo prej këtyre pikave mund të çojë në konflikt rajonal, ose edhe në një përballje më të gjerë ndërkombëtare.
Analiza thekson se, megjithëse një luftë e madhe në shkallën e konflikteve botërore të shekullit XX nuk konsiderohet “në horizont”, kjo nuk do të thotë ulje e tensioneve. Përkundrazi, intensiteti i dhunës në Ukrainë, Sudan, Jemen dhe në zonën Ruanda–Republika Demokratike e Kongos pritet të mbetet i lartë, ndërsa po shtohen rreziqe të reja më pak të dukshme, si sulmet kibernetike dhe format e avancuara të armëve biologjike e kimike.
Vendet Baltike, pika më e ndjeshme përballë Rusisë
Sipas analizës, presidenti rus Vladimir Putin pritet të vazhdojë përpjekjet për një “fitore absolute” në Ukrainë, duke testuar njëkohësisht kufijtë e durimit të NATO-s dhe BE-së në pikat më të ndjeshme, veçanërisht në rajonin baltik, Atlantikun e Veriut dhe Ballkan. Mes skenarëve të përmendur janë incidente të mundshme me “flamur të rremë” rreth Kaliningradit dhe korridorit Poloni–Lituani, si dhe veprime subversive pranë kufijve me Norvegjinë dhe Estoninë. Në det, pritet rritje e patrullimeve nga nëndetëset ruse, duke vënë në provë sistemet e reja të paralajmërimit të hershëm të NATO-s. Po ashtu, përmendet aktiviteti në rritje i anijeve dhe nëndetëseve të shërbimeve ruse të mbikëqyrjes dhe sabotimit.
Një faktor shtesë konsiderohet dinamika politike në SHBA dhe marrëdhëniet e tensionuara me disa aleatë evropianë, çka, sipas analizës, mund të krijojë “dritare mundësie” për veprime të nxituara nga Moska.
Amerika e Jugut dhe rreziku i Venezuelës
Zona e dytë me rrezik të lartë lidhet me Amerikën e Jugut, ku në qendër qëndron Venezuela. The Independent paralajmëron se një përfshirje e drejtpërdrejtë amerikane mund të sjellë pasoja të ngjashme me ato të ndërhyrjeve të kaluara, duke rritur paqëndrueshmërinë në një rajon më të gjerë, nga Ekuadori deri në Kolumbi dhe Guajanë.
Sipas analizës, nën retorikën politike qëndron faktori i naftës dhe ambicia e SHBA-së për të forcuar pozicionin si fuqi globale energjetike, gjë që mund të krijojë tensione edhe me aktorë të tjerë të mëdhenj ndërkombëtarë.
Lindja e Mesme dhe Briri i Afrikës, fitili që nuk shuhet
Një tjetër vatër rreziku përfshin Lindjen e Mesme dhe Bririn e Afrikës. Gaza, Jemeni dhe Sudani mbeten pika të nxehta, ndërsa rivalitetet mes fuqive rajonale dhe roli i aktorëve të ndryshëm shtetërorë e jo-shtetërorë e bëjnë situatën veçanërisht të paqëndrueshme.
Në Sudan theksohet mungesa e sigurisë dhe përhapja e armëve, ndërsa në zonën kufitare Ruanda–RDK, gara për burime minerare strategjike po merr gjithnjë e më shumë peshë gjeopolitike.
India–Pakistani dhe tensionet në Azi
Në Azinë Jugore, përplasja mes Indisë dhe Pakistanit mbetet aktive për shkak të Kashmirit dhe Afganistanit, ndërsa India përballet edhe me tensione të vazhdueshme kufitare me Kinën. Edhe pse disa përplasje rajonale në Azinë Juglindore nuk pritet të përhapen gjerësisht, ato vazhdojnë të mbeten burim shqetësimi.
Tajvani, skenari me pasoja globale
Rreziku i pestë dhe ndoshta më kritik lidhet me Kinën dhe Tajvanin. Sipas analizës, një veprim i gabuar ose i nxituar nga Pekini mund të shkaktojë reagim zinxhir nga SHBA, Japonia, Australia dhe India, duke e shndërruar krizën në një përballje globale.
Kërcënimet “e padukshme”
Përtej konflikteve tradicionale, analiza vë theksin edhe te rreziqet më pak të dukshme: sulmet kibernetike, dezinformimi dhe format e reja të luftës hibride. Këto kërcënime, paralajmëron The Independent, shpesh neglizhohen derisa pasojat bëhen të dukshme. Në përfundim, analiza nuk parashikon domosdoshmërisht luftë, por identifikon zonat ku bota duket më e brishtë. Dhe në një klimë të tillë, një gabim i vogël, një keqkuptim apo një provokim i qëllimshëm mund të mjaftojë për të ndryshuar ekuilibrat ndërkombëtarë.
