News24 renditet i treti mes televizioneve kryesore në Shqipëri për fondin e pagave, me 267 milionë lekë të shpenzuara për paga dhe sigurime shoqërore gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të raportuara në bilancet e kompanive, News24 kishte 170 punonjës, me një pagë mesatare mujore bruto prej rreth 130 mijë lekësh.
Revista ekonomike “Monitor” ka bërë një vlerësim, nisur nga buxhetet për paga e sigurime shoqërore, që televizionet kryesore kanë raportuar në bilancin e vitit 2025 dhe numrin e punonjësve.
Kështu, televizioni me buxhetin më të madh për pagat është “Top Channel”, me 824 milionë lekë, (gati 8.5 milionë euro), me rritje 2.3% me bazë vjetore. Televizioni kishte 447 punonjës në 2025-n, nga 465 në 2024-n, sipas të dhënave në raportet vjetore.
Paga mesatare mujore bruto për punonjës rezulton gati 154 mijë lekë, që është në këto nivele kryesisht për pagat e larta të niveleve drejtuese.
Top Channel i raporton fondet e pagave dhe sipas niveleve drejtuese. Për 52 drejtuesit e lartë, shpenzimet totale për paga dhe sigurime arritën në rreth 339.2 milionë lekë në vitin 2025. Kjo përkthehet në një pagë mesatare mujore bruto prej rreth 544 mijë lekësh për person. Për 106 drejtuesit e nivelit të mesëm, fondi total i pagave dhe sigurimeve ishte rreth 200.3 milionë lekë, ose një mesatare mujore prej rreth 157 mijë lekësh për punonjës. Për 275 punonjësit e kategorisë “staf tjetër”, shpenzimet për paga dhe sigurime arritën në rreth 282.4 milionë lekë, duke rezultuar në një mesatare mujore prej rreth 86 mijë lekësh për punonjës. Top Channel ishte në 2025-n, televizioni i dytë më i madh në vend, me të ardhura prej 1.95 miliardë lekë dhe fitimet para taksave 242 milionë lekë.
Televizioni i dytë me fondin më të larta për pagat është “TV Klan”, me një buxhet prej 660 milionë lekësh, ose gati 7 milionë euro, me rritje 7.5% me bazë vjetore.
Paga mesatare mujore bruto rezulton 131 mijë lekë për punonjës. Tv Klan ka një veçori, pasi emisione kryesore si “Opinion” apo e “Diela Shqiptare” funksionojnë si bërthama me NIPT më vete, ndaj pagat e drejtuesve të lartë nuk përfshihen në fondin e pagave të televizionit. Të ardhurat e “TV Klan” arritën në 2.3 miliardë lekë në 2025-n, me rritje 3.2% me bazë vjetore dhe fitime 484 milionë lekë.
“News 24” kishte një buxhet pagash prej 267 milionë lekë, ndërsa raporton 170 të punësuar. Paga mesatare bruto për të punësuar rezulton rreth 130 mijë lekë.
Ky televizion është i vetmi që raporton dhe shpenzime për pensionet. “News 24” ka raportuar rritje të të ardhurave me 6%, në 274 milionë lekë në 2025-n. Televizioni i lajmeve ka deklaruar humbje prej 114 milionë lekësh.
“Vizion Plus” është televizioni me buxhetin e katërt më të madh për paga, në nivelin e 251 milionë lekëve, me rritje 12% me bazë vjetore. Televizioni raportoi 190 të punësuar në 2025-n, nga 187 vitin e mëparshëm.
Paga mesatare mujore bruto për të punësuar është 106 mijë lekë. “Media Vizion” (Vizion Plus) raportoi të ardhura prej 655 milionë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, dhe fitime minimale prej 25 milionë lekësh.
“ABC News” kishte fond pagash prej 187 milionë lekësh në 2025-n, me një rënie prej gati 23%. Kompania nuk e ka të deklaruar në bilanc numrin e punonjësve. “ABC News” raportoi rritje të ardhurash me 29%, në 376 milionë lekë, në 2025-n dhe deklaroi për herë të parë një fitim prej 85 milionë lekësh.
“Report TV” kishte një buxhet për pagat prej 193 milionë lekësh në 2025-n, me rritje 8%. Operatori kishte 145 të punësuar, që do të thotë një pagë mesatare mujore bruto prej 111 mijë lekësh. “Report TV” (MTSC) deklaroi të ardhura prej 309 milionë lekë, me rritje 6%. Televizioni raportoi humbje prej 18 milionë lekësh.
“Euronews” deklaroi fond pagash prej 193 milionë lekë, me tkurrje prej 11.5% me bazë vjetore. Nuk ka të dhëna për numrin e punonjësve. “EuroNews” ka deklaruar të ardhura prej 185 milionë lekë, ndërsa vijon të jetë me humbje (109 milionë lekë).
“MCN TV” kishte një fond pagash prej 101 milionë lekësh, me rritje 18% me bazë vjetore. Nuk deklarohet numri i punonjësve. Qarkullimi vjetor në 2025-n ishte 72 milionë lekë, me tkurrje prej rreth 33%, ndërsa vijon të deklarojë humbje, që arritën në 49 milionë lekë. / Monitor
