Nga njëra anë përparim, nga ana tjetër ngecje. Kështu i sheh Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), konkluzat e Bashkimit Evropian për zgjerimin, kur bëhet fjalë për Kosovën.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se konkluzat ishin të pritshme, duke marrë parasysh vazhdimësinë e politikës së BE-së gjatë pesë vjetëve të fundit.

Por, nënvizon edhe disa përparime pozitive, si heqja e masave ndëshkuese, të cilat iu vendosën Kosovës në verën e vitit 2023, për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi më 18 dhjetor se BE-ja do t’i heqë të gjitha këto masa deri në janar të vitit 2026, duke i dhënë Kosovës mundësinë për qasje në fonde shtesë.

Megjithatë, Emini thekson se çështja kryesore për përparimin e Kosovës drejt BE-së mbetet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Çfarë thonë konkluzat e BE-së për Kosovën?

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i Bashkimit Evropian miratoi këtë javë konkluzat në lidhje me procesin e zgjerimit të bllokut evropian.

Në pjesën për Kosovën bëhet thirrje për reforma më të shpejta.

Mes tjerash, kërkohet zbatimi i Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, megjithëse aplikimi është bërë që në dhjetor të vitit 2022.

Në konkluza përmendet edhe nevoja për reforma në fushat e administratës publike, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së lirive themelore.

Aty thuhet se është bërë përparim në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa lavdërohet organizimi i proceseve zgjedhore në shkurt dhe në tetor, si dhe pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve.

Asociacioni – hap kyç për përparimin e Kosovës drejt BE-së

Emini thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet pengesë politike për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ajo shton se pritshmëritë e BE-së për zbatimin e kësaj marrëveshjeje vijnë në një moment kur Bashkimi Evropian “nuk po bën pothuajse asnjë përpjekje për rivitalizimin e dialogut Kosovë-Serbi”.

Dialogu politik ndërmjet dy palëve është bllokuar që nga shtatori i vitit 2023, pasi një grup i armatosur serb, nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, sulmoi Banjskën në veri të Kosovës dhe vrau një polic.

Për rifillimin e dialogut, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kërkon ekstradimin e Radoiçiqit – gjë të cilën Serbia e refuzon.

“Në thelb, BE-ja kushtëzon rrugën evropiane të Kosovës jo me një dialog të gjerë me Serbinë, por vetëm me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke pritur që Kosova të veprojë në një lloj vakumi”, thotë Emini.

Ajo shton se BE-ja është fokusuar te çështjet teknike, ndërsa politikat më të gjera janë shtyrë.

Sipas saj, çështja e formimit të Asociacionit nuk mund të zgjidhet vetvetiu.

Edhe për Kamberin, fillimi i zbatimit të vërtetë të Marrëveshjes për Asociacionin mbetet çështje kyç.

“Tani, kur në komunat veriore ekzistojnë autoritete lokale legjitime, është e rëndësishme që Kosova, pas zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor, të ketë një qeveri të re në Prishtinë. Por, edhe atëherë, ekziston rreziku i një bllokade të re politike, për shkak të mospajtimeve mbi mënyrën e zbatimit të marrëveshjes. Një nga dilemat kryesore mbetet nëse është e mundur të ketë përparim pa u rënë dakord paraprakisht me radhitjen e pikave që duhen zbatuar”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb