Duket se Uashingtoni i ka rikthyer në agjendë veprimet ushtarake kundër Iranit, në një kohë kur po ndodh një shtypje gjithnjë e më vdekjeprurëse ndaj protestuesve në qytete dhe qyteza në të gjithë vendin.

Raporte të pakonfirmuara thonë se më shumë se 500 njerëz janë vrarë – edhe pse disa grupe për të drejtat e njeriut thonë se numri i viktimave mund të jetë disa herë më i lartë – gjatë shtypjes së kryengritjes.

Protestat e javëve të fundit janë shndërruar në njërën prej sfidave më të mëdha ndaj sundimit klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Demonstratat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e shpejtë e monedhës kombëtare, por më pas u shndërruan në një protestë më të gjerë kundër autoriteteve të vendit.

Uashingtoni, por edhe Teherani kanë lënë të kuptohet se janë të hapur për bisedime. Por, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja mund të ndërmarrë veprime gjithsesi, duke pasur parasysh raportet për veprime brutale kundër protestuesve.

“Ne mund të takohemi me ta. Një takim po organizohet, por mund të na duhet të veprojmë për shkak të asaj që po ndodh para takimit”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit të Forcës Ajrore më 11 janar.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha më 12 janar: “Republika Islamike e Iranit nuk po kërkon luftë, por është plotësisht e përgatitur për luftë”.

Pra, cilat janë opsionet e Uashingtonit nëse diplomacia dështon?

Nga ana pozitive, sulmet e kufizuara ndaj objektivave simbolike do të përfshinin më pak rrezik për Forcat e Armatosura Amerikane dhe për goditjen e civilëve.

Ato gjithashtu do të kryheshin më lehtë brenda kapaciteteve ushtarake të SHBA-së në rajon dhe përtej tij, dhe teorikisht mund të kryheshin pa përfshirjen e aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik.

Disa analistë kanë thënë se ky opsion ka disa mangësi, kryesisht sepse i mundëson regjimit të mobilizojë mbështetje patriotike dhe të largojë vëmendjen nga ankesat që ushqejnë demonstratat mbarëkombëtare, duke shkaktuar njëkohësisht pak dëme reale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: