Një shprehje që i atribuohet Benxhamin Frenklin, njërit prej etërve themelues të SHBA, thotë: “Drejtësia do të arrihet, atëherë kur ata që nuk preken nga ajo, do të jenë po aq të indinjuar sa ata që preken”.

Shprehja në fakt është një apel për reagim social apo rebelim intelektual, ndaj padrejtësive që ndoshta s’të prekin direkt, por me gjasë prekin mikun, komshiun, të njohurin apo dikë që s’e njeh hiç.

Ajo përkthehet se në fakt, apatia apo indiferenca, dalëngadalë e pa kuptuar, mund të shndërrohen në burim padrejtësish në të ardhmen dhe se vetëm empatia apo indinjata kolektive mund të sjellë ndryshimin pozitiv.

Shprehja merr kuptim të veçantë në Shqipërinë e sotme, kur reagimi ndaj padrejtësive – qoftë juridike, qoftë sociale – është gjithnjë e më anemik dhe i zbehtë.

Solidariteti i heshtur për padrejtësinë ndaj tjetrit, tek ne, është në proporcion të drejtë me indinjatën, rebelimin kur kjo padrejtësi troket në derën e secilit prej nesh.

Prandaj, shumëkush në rrjetet sociale pati paturpësinë të identifikohet me vrasësit e gjyqtarit, duke sjellë si alibi problematikat individuale me çështje të ndryshme gjyqësore, kryesisht për toka dhe prona.

Si erdhëm deri këtu?

Si shpjegohet që një gjyqtar i papërfolur publikisht për shkelje ligji dhe i panjohur për publikun e gjerë, ngjalli kaq shumë reagim makabër mbi tastiera?

Në fakt, të gjithë ata që u rreshtuan në anën e vrasësit nuk e kanë mllefin dhe inatin me gjyqtarit Astrit Kalaja, emrin e të cilit e dëgjuan për herë të parë.

Ata thjesht portretizuan tek Astrit Kalaja hallet e tyre personale, padrejtësitë juridike, pabarazitë sociale, margjinalizimin dhe jo vetëm, që kanë mbartur në kurriz në 35 vite pluralizëm.

Janë të njëjtët njerëz që nuk reagojnë kur shohin tjetrin t’i grabitet vota, t’i shembet prona, t’i vidhet vendi i punës, e ardhmja.

Janë të njëjtët që bëjnë pakt me djallin dhe pranojnë “shortcut”-et e përditshme që ofron kontrata sociale mes hiles, rryshfetit, favorizimit, nepotizmit, interesit apo thjesht nënshtrimit.

Sepse nuk duhet shumë për të qenë krimb, mjafton të mos ankohesh kur të shkelin me këmbë.

“Drejtësia do të arrihet, atëherë kur ata që nuk preken nga ajo, do të jenë po aq të indinjuar sa ata që preken” – është pra një ftesë për të folur, për të qëndruar, për t’u ankuar.

Eshtë një ftesë për të mos e parë realitetin me sytë e interesit personal dhe syzet e tifozllëkut partiak, krahinor apo familjar, por duke menduar për dobinë publike.

Nëse mbyll sytë, hesht, e kapërdin padrejtësinë që i bëhet tjetrit, kur padrejtësia do të të prekë ty, ajo do të shprehet në formë frustrimi barbar me urime vrasësish në rrjetet sociale.

Sepse s’do ketë mbetur askush të indinjohet për ty, për drejtësinë e munguar ndaj teje.

Drejtësia do të arrihet, atëherë kur ata që nuk preken nga ajo, do të jenë po aq të indinjuar sa ata që preken.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb