Buxheti për vitin 2027, të cilin qeveria e shet si arritje historike prej 10 miliardë eurosh, nuk është dëshmi e lulëzimit ekonomik, por pasqyra e një ekonomie që mbahet në këmbë me borxhe të shtrenjta dhe që fryhet për të mbuluar gropat e abuzimeve qeveritare.

Spiralja e borxhit dhe rreziku i valutës së huaj
Për të financuar këtë buxhet dhe për të shlyer detyrimet e vjetra, qeveria po përgatitet të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare në vitin 2027 me një Eurobond rekord prej 690 milionë eurosh. Kjo është huamarrja më e madhe e këtij lloji në historinë e vendit, pas Eurobondit prej 650 milionë eurosh të emetuar në vitin 2025. Me normat e interesit në tregjet financiare mbi 5% aktualisht, vetëm kostoja vjetore e interesave për këtë hua të re do të kapë 35 deri në 37 milionë euro në vit (afro 40 milionë dollarë). Kjo është një shumë që digjet çdo vit vetëm për të paguar interesat e kreditorëve të huaj — e barabartë me të gjithë fondin vjetor që qeveria shqiptare u jep subvencioneve për fermerët.

Tabloja bëhet edhe më dramatike kur shihet rritja e stokut të borxhit nga Edi Rama sot në krahasim me borxhin që gjeti kur mori pushtetin më 2013. Atë vit, Partia Socialiste mori drejtimin e shtetit me një borxh publik prej rreth 6 miliardë eurosh. Në buxhetin aktual borxhi publik i Shqipërisë figuron në rreth 15 miliardë euro me emetimin e Eurobondit të ri. Në 13 vjet, borxhi i Shqipërisë është rritur dy herë e gjysmë. Shpërthimi i borxhit në valutë të huaj është karakteristika tjetër e rrezikshme e këtij borxhi. Në një borxh publik problemi më i madh nuk është thjesht shuma, por struktura e tij. Në vitin 2013, borxhi i jashtëm i qeverisë ishte rreth 371.6 miliardë lekë (rreth 2.65 miliardë euro). Sot, borxhi i jashtëm qeveritar është në dyfishim e sipër me mbi 5.2 miliardë euro, duke llogaritur edhe Eurobondin e ri. Kjo dinamikë e borxhit të jashtëm e ekspozon drejtpërdrejt vendin ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare. Ndryshe nga Japonia, e cila ka borxh gjigant, por të emetuar në monedhën e saj vendase (jen) dhe të mbajtur nga qytetarët dhe bankat japoneze — çka i lejon kohë pa fund qeverisë ta menaxhojë — një vend i vogël si Shqipëria, me borxh të lartë në valutë të huaj, nuk mund t’u bëjë bisht kreditorëve ndërkombëtarë. Në rast të një krize ekonomike borxhi i huaj kthehet në një kërcënim të sovranitetit të vendit, siç i ndodhi Greqisë, ku për të shlyer borxhin qeveria u detyrua të ulë rrogat dhe pensionet, një masë e paparë në një vend të BE-së.

Buxheti fryhet për të paguar faturat e korrupsionit
Përtej borxhit, problemi tjetër është se ky buxhet nuk po rritet për t’i bërë shqiptarët më të pasur, por sepse qeverisë i duhen miliarda euro për të mbuluar gropat e zeza financiare të krijuara nga vetë aferat e saj korruptive. Mjaftojnë pak shembuj për të kuptuar situatën. Gjylja financiare që lanë inceneratorët, 400 milionë euro, ku tjetër veçse në buxhet do të përzihet dhe fshihet? Ajo vjedhje detyrimisht paguhet çdo vit nga taksat e qytetarëve, edhe pse impiantet nuk funksionojnë. SPAK kap ndoshta hajdutët, por fatura mbetet në buxhet. Abuzimet me tenderët e AKSHI-t, të organizuara nga Agasi e kompani, apo ndërmarrjet gjoja të përbashkëta Kayo e Timak, ku përfituesi real është Ron Yefet, përbëjnë me dhjetëra e qindra milionë euro që rëndojnë po ashtu mbi arkën e shtetit, domethënë në buxhet. Po rrugët e florinjta të “Ballukut”? Kush tjetër përveç shqiptarëve me buxhetin mburravec të Ramës i paguan vilat e fshehura dhe arkat me euro? Por s’është vetëm ajo. Janë edhe mbi 30 të pandehur për 12 procedura tenderimi (si Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Tiranës), që tregojnë se si projektet infrastrukturore janë fryrë artificialisht, duke i shkaktuar shtetit miliarda lekë dëm të drejtpërdrejtë. Po në shendetësi si abuzime?
E së fundmi, por ndoshta edhe më e rënda: faturat e humbjeve në Arbitrazh. Përveç vjedhjeve brenda vendit, buxheti i shqiptarëve duhet të shlyejë edhe gjobat e rënda të vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar. Dosja Becchetti (mbi 110 milionë euro) është më simbolikja , por sa kontrata të tjera të prishura në mënyrë arbitrare apo në prishje e sipër si aeroporti i Vlorës , të cilat i kushtojnë vendit me qindra milionë euro.

Konkluzion: një buxhet i frikës
Ky nuk është një buxhet zhvillimi, por një buxhet i frikës. Qeveria e di se rritja ekonomike e viteve të fundit mbështetet kryesisht te një sektor ndërtimi i ushqyer nga paraja informale dhe e pisët, i cili nuk krijon ekonomi produktive. Kur kjo flluskë të shpërthejë, Shqipëria do të mbetet e zhytur në një borxh gjigant, pa bujqësi, pa industri, pa asnjë formë tjetër ekonomie prodhuese, dhe me një popullsi të plakur dhe të përgjysmuar. Në këtë buxhet nuk sheh asnjë orientim ekonomik të Shqipërisë, sepse edhe turizmi si strategji kryesore, jo vetëm që funksionon një çerek viti, por ka nevojë për agro-industri, të cilës nuk i sheh premisën më të vogël në buxhet. Sheh vetëm 15 miliardë euro borxh për një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, që do të thotë se çdo shqiptar — nga foshnja e porsalindur te pensionisti — mban 7,500 euro borxh mbi supe, ose 30,000 euro borxh për çdo familje me katër anëtarë. I njëjti ekuacion i raportit të borxhit me popullatën tregon se sa larg jemi edhe me një vend fqinj dhe jo shumë të pasur si Kosova. Aty borxhi nuk është veçse 1,200 euro për banor, ose mbi 6 herë më pak se Shqipëria.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb