Në momentin kur në Shqipëri po ndodh eksperimenti i parë në Evropën moderne, ai i deportimit me forcë të emigrantëve nga Italia, shefi i të djathtës franceze, ndoshta i frymëzuar nga kjo gjë, propozoi mbrëmë të njëjtën gjë, por sot po korr një valë indinjate në klasën politike franceze.
Konteksti
Në 11 marsin e kaluar, Komisioni Europian ndryshoi rregulloren për t’i hapur rrugën deportimit të emigrantëve që BE-ja nuk i do më në truallin e saj, por as dhe nuk arrin dot t’i dëbojë në vendet e tyre të origjinës. Më parë, transferimi i tyre në vende të «treta», siç kërkon ta bëjë Italia me Shqipërinë, s’mund të ndodhte pa pëlqimin e vetë emigrantëve. Legjislacioni i ri europian i hap rrugën deportimit me forcë. Anija e parë me këtë kategori të re emigrantësh që duhen dëbuar me forcë nga Europa vjen sot në Shqipëri dhe kjo është një “premierë” për Europën që s’dinte ç’të bëntë me këta klandestinë pasi midis tyre ka edhe kriminelë apo terroristë. Ministri i ri i brendshëm francez, që vjen nga radhët e partisë së djathtë e ish-Presidentit Sarkozi, ka hyrë në rivalitet me ekstremisten e djathtë Marine Le Pen për t’u bërë president dhe po e konkurron te pika se kush është më i aftë t’i dëbojë nga Franca emigrantët e padëshiruar. Ky ministër ishte po ashtu pro ndryshimit të legjislacionit europian për deportimin e tyre me forcë. Në këtë kontekst, shefi i tij, shefi i të djathtës franceze dhe ai në garë për t’u bërë president i Francës, Laurent Wauquiez (Lorent Vokiez), shkon dhe më larg se ministri i tij, dhe më larg se ekstremistja Le Pen me një propozim radikal. Ai kërkon të kopjojë Melonin me Shqipërinë, por duke i deportuar emigrantët edhe më larg akoma. Polemika e ndezur si më poshtë, të bën të shohësh me frikë se sa e heshtur po qëndron Shqipëria para fateve të saj.
Propozimi për deportim emigrantësh në një ishull në jug të Groenlandës shkakton indinjatë të madhe në Francë
Shefi i të djathtës franceze propozon që të shfrytëzohet një ishull i vogël që i përket Francës në jug të Groenlandës, më saktë ishulli “Saint-Pierre-et-Miquelon”, për t’i çuar atje me forcë dhe ndoshta përgjithmonë emigrantët që Franca nuk i dëshiron më. Më poshtë, është interesante për t’u parë se indinjata e krijuar nuk është vetëm në lidhje me pse po deportohen emigrantët, por pse po ofendohen, përbuzën, mëpërkëmben banorët e ishullit në fjalë sikur të ishte ishull plehrash. Me fjalë të tjera, interesante po ashtu për t’u parë është se dhe vetë shefja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, paradoksalisht e ka kritikuar shumë ashpër këtë propozim. Kjo parti i përmbahet tezës së Trump-it, se klandestinët duhen kthyer me forcë në vendet e tyre të origjinës.
Po botojmë këtu të plotë polemikën që ka shpërthyer në Francë. Në pjesën e fundit të këtij shkrimi do bëjmë ushtrimin e një loje domethënëse fjalësh: do zëvendësojmë fjalën ishull me atë Shqipëri, që shqiptarët të shohin sesi ata do të shihen nga Europa, si shtetas të dorës së dytë, domethënë që s’mund të hyjnë në Europë.
Deklaratat shokuese të kryetarit të së djathtës franceze
“Emigrantët që duam të dëbojmë do t’u lihet vetëm një alternativë: ose të largohen për në ishullin e Saint-Pierre-et-Miquelon ose të kthehen në vendin e tyre. Unë ju them këtyre emigrantëve: ju refuzoni të ktheheni në vendin tuaj? Shumë mirë, do ju japim një biletë vajtje për në ishullin e Saint-Pierre-et-Miquelon, pa biletë kthimi në Evropë. Kur ata të ndodhen në atë arkipelag që nuk është në zonën Shengen, ne do t’u bllokojmë çdo mënyrë kthimi për në Francën kontinentale,” deklaroi Laurent Wauquiez, duke sugjeruar që masa e dëbimit të shoqërohet me një zgjatje të afatit të paraburgimit, siç kanë propozuar deputetët e djathtë francezë sipas modelit italian apo anglez. Shefi i të djathtës franceze shkoi dhe më larg dje me shprehjet e tij provokuese, duke thënë se e bën kastile t’i dëbojë emigrantët te ky arkipelag i largët francez ku jeta është e vështirë për shkak të kushteve të egra, gjë që sipas tij do të inkurajojë të huajt të preferojnë të kthehen në shtëpitë e tyre në vendet e origjinës sesa të jetojnë në një ishull të humbur e të ftohtë. Ja si shprehet ai: “Atje, bën mesatarisht 5 gradë Celsius gjatë gjithë vitit, dhe gjysma e vitit është vetëm shi dhe borë, dhe kjo do t’i bëjë emigrantët që s’duan të kthehen ta mendojnë mirë.”
Kundërvënia e politikanëve dhe intelektualëve francezë ndaj këtij plani dëbimi
“Është ide e denjë për studentë pasi kanë pirë tre litra birrë në një bar nate,” tallet një anëtar i partisë së djathtë mbështetës i Ministrit të Brendshëm. Por sulmi më i ashpër erdhi nga vetë qeveria franceze, ku paradoksalisht bën pjesë në koalicion edhe partia e djathtë e Wauquiez. Në një deklaratë të ashpër, Manuel Valls, ish-kryeministër dhe aktualisht ministër për Territoret franceze përtej Oqeaneve, deklaroi se “asnjë territor francez nuk meriton të trajtohet si zonë për deportime. Ishulli i Saint-Pierre-et-Miquelon është pëllëmbë tokë France dhe jo territor për burgje apo për qendra paraburgimi (…) Deportimi me forcë është një metodë e përdorur nga kolonialistët e kohëve të shkuara, dhe kurrë kjo s’duhet të bëhet nga të zgjedhurit e Republikës Franceze,” tha ish-kryeministri, duke shtuar: “Kur përçmon një territor, rrezikon të përbuzësh të gjithë Francën.”
Por reagimi më i paprituri qe ai i partisë së Le Pen-it, Tubimi Kombëtar: “Vendi i emigrantëve që duam të dëbojmë është vetëm një, vendi i tyre. Sigurisht që s’mund t’i heqim nga Franca për t’i çuar prapë në Francë.” “Banorët e ishullit të Saint-Pierre-et-Miquelon nuk janë qytetarë të rangut të dytë,” sulmoi ashpër vetë Marine Le Pen në rrjetin social X.
Nga zërat kundër në radhët e intelektualëve vlen të përmendet deklarata e Zhak Atali: “Duke propozuar mbylljen e të huajve të rrezikshëm në ishullin e Saint-Pierre-et-Miquelon, Laurent Wauquiez po shkel të gjitha vlerat e Republikës franceze. Ata që nuk shprehin indinjatë kundër kësaj mënxyre do të jenë bashkëpunëtorë në një banalizim tragjik të së keqes.”
Po sikur të zëvendësojmë fjalën ishull me atë Shqipëri?
Në fund të këtij shkrimi dhe duke u bazuar te kjo thënie e fortë e mësipërme e një prej intelektualëve më të mëdhenj francez, Zhak Atali, që ka vizituar dhe Shqipërinë, le të bëjmë një lojë fjalësh, një zëvendësim të termit “ishull” me atë “Shqipëri” dhe për të kuptuar më mirë pse Edi Rama rrezikon të na lërë jashtë BE-së e jo t’i pajisë shqiptarët me pasaportë BE-je sipas premtimeve të tij elektorale.
Zhak Atali: “Ata që nuk shprehin indinjatë kundër kësaj mënxyre që do ndodhë në Shqipëri do të jenë bashkëpunëtorë në një banalizim tragjik të së keqes.”
Laurent Wauquiez, autori i propozimit se ku duhen deportuar emigrantët:
“Klandestinët që duam të debojmë do të kenë vetëm një alternativë: ose të largohen për në Shqipëri ose të kthehen në vendin e tyre.” “Unë ju them atyre: ju refuzoni të ktheheni në vendin tuaj? Shumë mirë, do ju japim një biletë vajtje për Shqipëri, pa biletë kthimi në Europë. Kur ata të ndodhen në atë vend si Shqipëria që nuk është në BE, ne do t’u bllokojmë çdo mënyrë kthimi për në Europë.. Atje në Shqipëri, është varfëri e madhe dhe ka shumë rrjete trafikantësh. Emigrantët ta mendojnë mirë, do preferojnë Shqipërinë apo vendet e tyre.”
Manuel Valls, ish-kryeministër i Francës:
“Asnjë territor, as Shqipëria nuk e meriton të trajtohet si zonë për deportime. Shqipëria është vend që ka vokacion të bëhet pjesë e territorit europian dhe jo të shndërrohet në territor për burgje apo për qendra paraburgimi… Deportimi me forcë është një metodë e përdorur nga kolonialistët e kohëve të shkuara, dhe kurrë kjo s’duhet të lejohet të bëhet nga europianët drejt një vendi si Shqipëria. Kur përçmon Shqipërinë në këtë mënyrë, rrezikon të përbuzësh të gjithë vlerat europiane.”
Marine Le Pen:
“Vendi i emigrantëve që duam të dëbojmë është vetëm një, vendi i tyre. Sigurisht që s’mund t’i heqim nga Franca për t’i çuar në Shqipëri, e cila po hyri në Europë, do na i sjellë prapë në Francë. Banorët e Shqipërisë s’mund të jenë banorë të Europës nëse i shndërrojmë në qytetarë të rangut të dytë.”
Zhak Atali:
“Duke propozuar mbylljen e të huajve të rrezikshëm në Shqipëri, Meloni po shkel të gjitha vlerat e Europës.”
Është lojë fjalësh. Por a është vërtetë lojë fjalësh kur bëhet fjala për vlera që duhen zbatuar si për ishullin e largët ashtu dhe për Shqipërinë në dyert e Europës?
(BalkanWeb)
