Nga Genc Burimi
Sot, gati 10 vjet më pas, eurodeputeti i djathtë gjerman, David McAllister, bëri një rikthim të bujshëm në Tiranë. Misioni që mbanin këtë herë në “letër”, integrimi, nuk ishte i njëjti me atë të 2017-s, qeveria teknike, por fryma mbetet po ajo, siç do të mundohemi ta analizojmë në këtë shkrim.
McAllister, “babai” i qeverisë teknike gjysmake shqiptare
Në kulmin e krizës së “çadrave” të PD-së së Bashës në bulevard, McAllister zbarkoi në Tiranë më 25 prill 2017 për të gjetur një kompromis midis palëve politike në Shqipëri. Asaj kohe ai përfaqësonte më shumë grupin e partive të djathta europiane (PPE) sesa gjithë Parlamentin Europian. Misionin asaj kohe ai e konsideroi si të suksesshëm sepse arriti të përmbushte kërkesën e Lulzim Bashës për një qeveri “teknike” për organizimin e zgjedhjeve legjislative të 2017-ës. Por, duke lënë Edi Ramën gjithnjë në krye të asaj qeverie teknike, ajo zgjidhje me të cilën McAllister u mburr, rezultoi gati dhjetë vjet më vonë, si një arnim copa-copa i demokracisë gjithmonë jo funksionale shqiptare.
McAllister nuk pati refleksin politik që duhet ta karakterizonte me përvojën e gjatë që ai ka në politikën europiane, se problemi kryesor i demokracisë në Shqipëri nuk qëndron tek institucionet. Problemi i demokracisë (dis)funksionale në Shqipëri buron nga një njeri i vetëm, Edi Rama. Si rezultat, fill pas largimit të McAllister në pranverën 2017 nga Tirana, në zgjedhjet që pasuan, Edi Rama përdori gjithë fuqinë e plantacioneve të kanabisit për t’i fituar padrejtësisht ato zgjedhje. Sa vlejti qeveria teknike alla McAllister?
Si për ironi të fatit, 4 vjet më vonë, pa bërë asnjë analizë se çfarë nuk eci mirë me zgjedhjet e 2017-ës që ishin të supozuara t’i sillnin stabilitet politik Shqipërisë, McAllister iu riparakit serish shqiptarëve, kësaj here në një ekran të madh më 21 prill 2021, ose katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Ai bashkëbisedonte publikisht me Skype me Lulzim Bashën, njëri nga Strasburgu në krah të Donald Tusk, asokohe Kryetar i PPE, dhe tjetri, Basha, nga selia e PD-së në Tiranë.
Megjithë dështimin e 2017-s, McAllister vazhdoi të jepte mesazhe po aq naive sa më parë, në një kohë kur Rama ishte në kulmin e organizimit të vjedhjes së re të zgjedhjeve, kësaj here përmes patronazhistave.
Ja si drejtohej McAllister besimplotë Lulzim Bashës pak ditë para “qametit” të ri elektoral: “Zgjedhjet e 25 Prillit (2021) do të jenë jetike për konsolidimin dhe rinovimin e demokracisë shqiptare dhe arritjen e një niveli më të lartë të stabilitetit politik. Të dashur miq të PDSH-së, ju uroj suksese në ditët e ardhshme, ju keni mbështetjen e Partive Popullore Europiane”, tha David McAllister.
Veçse suksesin edhe në këto zgjedhje Edi Rama kishte kohë që e kishte përgatitur për veten e tij, duke vënë shtetin në dispozicion të patronazhistëve të Partisë Socialiste për të bërë klientelizëm politik në një shkallë të paimagjinueshme në Europën nga vjen McAllister. Dhe kur gazetarë të ndershëm guxuan ta denonconin atë maskaradë, drejtësia e Edi Ramës nuk u mor me denoncimin, por me denoncuesin duke bastisur redaksinë e Lapsit. Sa për shefin denoncues të asaj kasaphane të re zgjedhore, Sali Berisha, shumë më aktiv në protesta se Lulzim Basha, Rama s’kishte nevojë në atë moment t’i turrte drejtësinë. Me neutralizimin e të pakënaqurve nga zgjedhjet u morr vete Amerika e Mac Gonigalit, që e shpalli Berishën non grata një muaj pas zgjedhjeve, për motive të para se më shumë një dekadë. Rezultati, në vend të destabilizohej pushteti autokratik i Ramës, u destabilizua partia më e madhe e opozitës. Sa bosh tingëllonin garancitë që McAllister u adresonte militantëve të PD-së se asaj here manipulimi i zgjedhjeve nuk do të tolerohej më: “Siç e dini, i dashur Lulzim, të dashur miq në Tiranë, në Parlamentin Europian po ndjekim nga afër situatën në Shqipëri…”.
Një zgjim i dhimbshëm i Europës
U desh masakra e tretë zgjedhore legjislative e Edi Ramës në maj 2025, kombinuar me largimin pak kohë më parë të administratës demokrate amerikane pro Edi Ramës, që Parlamenti Europian dhe PPE-ja e McAllister-it të zgjoheshin më në fund nga ëndrra e rreme se në Shqipërinë e Edi Ramës gjërat shkonin fjollë. Dhe kjo falë një eurodeputeti të guximshëm, Michael Gahler, drejtuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për zgjedhjet e 11 majit 2025, të cilin shqiptarët e zbuluan në konferencën për shtyp pas-zgjedhore të OSBE/ODIHR, duke deklaruar se në zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin të barabarta, domethënë jo të ndershme. Maskat filluan të bien. Jo, Edi Rama nuk ishte një Mozart i politikës. Sekreti i fitoreve të tij të njëpasnjëshme elektorale, kishte në bazë të njëjtat metoda si në vendet autokratike, që nga Serbia fqinje e deri në Azerbajxhanin e largët, vënien e Shtetit në shërbim të Pushtetit.
I njëjti eurodeputet Michael Gahler ishte dhe ai në Tiranë krah David McAllister, por me një mision krejt ndryshe: auditimin e procesit të negociatave të integrimit. Rregullat e integrimit kanë ndryshuar prej shumë vitesh. Tekstet e Bashkimit Europian i japin tani Parlamentit Europian një rol monitorimi vjetor të procesit të negociatave që Komisioni Europian zhvillon me një vend anëtar, në rastin konkret me Shqipërinë. David McAllister nuk erdhi kësaj here në Tiranë si në 2017 për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës politike, por për të raportuar nëse Shqipëria ka bërë apo jo progres në zbatimin e detyrave të shtëpisë që i ka fiksuar Komisioni Europian në kuadrin e negociatave për integrim. Dhe sot, i njëjti McAllister sheh në Tiranë ata që nuk donte të shikonte as më 2017, dhe as më 2021. Ai sot, duke personifikuar Europën e bashkuar, ndodhet në pozitën e krijuesit të Frakensteinit përpara krijesës së tij. Kjo Europë mbylli sytë tash e me vite të tera ndaj abuzimeve të kryera nga një person i vetëm, me institucionet vitale të një demokracie, që janë zgjedhjet dhe drejtësia. Pa përmendur asgjesimin e auditimeve si Kontrolli i Lartë i Shtetit apo komisionet hetimore parlamentare. Pa përmendur asgjesimin e debatit publik për diskutimin e ligjeve me rëndësi kapitale për shoqërinë, siç është në këtë moment privatizimi me ligj i dhënies së tenderave. Sot Shqipëria e Edi Ramës ka të njëjtën formë qeverisëse si Serbia e Vuçiçit. Në të dyja vendet vendos Njëshi, për gjithçka, deri te ambientet se ku drejtësia duhet të punojë, apo cilin shtetar kjo e fundit duhet apo s’duhet të arrestojë.
Pas zgjedhjeve të fundit të majit 2025, Michael Gahler dha sinjalin e alarmit. Sot shefi i tij në komisionin e punëve të jashtme të PE-së konfirmon nga Tirana se gjërat nuk po shkojnë fare siç duhet në Shqipëri. Në të treja drejtimet ku gjykohet një demokraci funksionale, Shqipëria ngelet në klasë po të ndjekësh deklaratat e McAllister-it nga Tirana: në drejtim të një drejtësie të pavarur që nuk duhet të pengohet të hetojë korrupsionin shtetëror, në drejtim të zgjedhjeve të ndershme që duhet të bazohen në normat perëndimore, dhe në drejtim të fjalës së lirë ku mediat nuk duhet të jenë pre e një diktati politik dhe ekonomik të urdhëruar nga Rama. Ja fjalë për fjalë deklaratat e McAllister mbi demokracinë pseudo-funksionale në Shqipëri:
“Ajo që mund të them është se rasti që përfshin zëvendëskryeministren Balluku është një test kritik për Shqipërinë për të adresuar korrupsionin”.
“Në luftën kundër korrupsionit… nuk jemi ende të kënaqur… Të mos ketë ndërhyrje politike dhe politikanët të japin shembullin. Duam një reformë zgjedhore që të adresoje rekomandimet OSBE-ODIHR. Duam përpjekje të forta për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik… me masa garantuese për të mbrojtur gazetarët”.
Pas diagnozës, terapia: qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme
Diagnozë më të qartë se kaq nga doktorët e Parlamentit Europian nuk ka se ku të shkojë. Por shqiptarët e njohin prej kohësh epideminë që i ka mberthyer dhe buzëqeshin hidhurazi kur shohin parlamentarët e lartë europiane të dalin më në fund nga situata e mohimit të realitetit shqiptar ku ishin zhytur kokë e këmbë prej kohësh. Edhe në Francë, në një gazetë e njohur më shumë për investigime nga jeta e brendshme politike franceze se nga punët e jashtme, si “Mediapart”, gjeje tashmë para dy vitesh një titull si ky: “Si autokrati shqiptar Edi Rama është bërë i preferuari i Perëndimorëve”. Mesa duket, parlamentarët europianë, në lidhje me Shqipërinë, preferonin të lexonin më shumë raportet e kolegëve të tyre të Komisionit Europian me Marta Kos në krye sesa shtypin europian.
Më mirë vonë se kurrë. Por çdo diagnozë ka nevojë për një terapi. McAllister duhet të përfundojë atë punën që nisi më 2017. Por kësaj here me një qeveri teknike pa Edi Ramën. Vetëm zgjedhjet e lira e të ndershme adresojnë problemet që ka sot në Shqipëri drejtësia dhe mediat nën presion të vazhdueshëm të Edi Ramës. Pa folur për presionet mbi ekonomi me inpute të pista si paratë e drogës apo me dhënie pasurish publike me një firmë të Njëshit. Vetëm zgjedhjet e lira e të ndershme i zbresin autokratët nga piedestalet. Nëse kësaj here McAllister dhe Europa e bashkuar në përgjithësi nuk u mundësojnë shqiptarëve të rishprehen me votë të lirë para 2029, europianët me siguri do i komprometojnë vetë shanset për një Shqipëri europiane brenda këtij dhjetëvjeçari.
Vetë McAllister e pranoi dje nga Tirana:
“Shqipëria duhet të punojë edhe më fort për përmbushjen e detyrimeve dhe hapjen e negociatave. Jemi të shqetësuar për polarizimin politik. Duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog politik në vend.” Veçse ai shtoi:
“Protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokracinë funksionale”.
Por a përfaqëson Shqipëria sot një vend me demokraci funksionale po të bazohesh te vetë kritikat e McAllister në lidhje me drejtësinë, me shtypin dhe me zgjedhjet?
A, ngaqë Serbia nuk qenka demokraci funksionale që europianët i “mirëkuptuan” atje protestat e dhunshme duke ia vënë fajin për gjithçka Vuçiçit? Shqiptarët nuk janë ndryshe nga serbët. Ata në këto protesta nuk kërkojnë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se rinia serbe anti-Vuçiç: zgjedhje të parakohshme dhe të ndershme!
Pse Europa mbështet kërkesat e serbëve dhe jo të shqiptarëve?
Kësaj pyetje a mund t’i përgjigjet McAllister?
