E premtja e 20 majit të vitit 2022 e kishte kthyer mësimdhënësen e Shkollës Fillore “Dardania” në Prishtinë, Elenë Stublla, në cak të komenteve përplot gjuhë të urrejtjes në rrjete sociale.
Dhjetëra njerëz përqeshnin, akuzonin e ofendonin Stubllën nëpër rrjete sociale, pas vendimit të saj për të mos marrë pjesë në një grevë të organizuar nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), në maj të vitit 2022.
Por, Stublla kujton se nuk kishte hezituar ta shprehte të njëjtin qëndrim sërish publikisht, as kur u mbajtën grevat njëmujore më vonë, në shtator të atij viti.
“Sinqerisht, nuk jam marrë shumë me komente. I kam injoruar, përveç atyre që më janë drejtuar me mesazhe private, apo në shoqëri e kolektiv. Nuk e kam aspak problem”, thotë Stublla për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se i mëson edhe nxënëset e saj që të mos ndikohen nga komentet negative që mund të marrin, kur ato, siç thotë, janë të pabaza.
“Natyrisht, nuk të bëjnë të ndihesh mirë, sepse të vjen keq që kanë rënë në atë nivel, por jo pse ti je e tillë. Përkundrazi, të motivojnë më shumë, sepse duhet ta luftosh një fenomen të keq”, thotë Stublla.
Një hulumtim i publikuar më herët këtë vit nga organizata Demokracia për Zhvillim (D4D) gjeti se kur gratë janë subjekt i lajmeve nëpër media, ato postime në rrjete sociale marrin tri herë më shumë reagime sesa lajmet e tjera. Shumica e komenteve me gjuhë të urrejtjes bëhen nga burrat.
Gratë dhe gjuha e urrejtjes në rrjete sociale
Sipas një hulumtimi të organizatës Demokraci për Zhvillim (D4D), gratë përballen shumë më shpesh sesa burrat me gjuhë të urrejtjes në komente në rrjete sociale. Shumica e këtyre komenteve, gati 90 për qind, vijnë nga burrat.Për këtë hulumtim, kjo organizatë monitoroi mbi 110 portale në Kosovë nga janari i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023. Ky hulumtim rezultoi në analizë të mbi 3.6 milionë artikujve të publikuar nga mediat në Kosovë.
Në shumicën e lajmeve, gratë e përfshira në politikë ishin cak i komenteve me gjuhë të urrejtjes, që Kombet e Bashkuara (OKB) e definojnë si diskurs fyes që përdoret ndaj një individi ose grupi në bazë të disa karakteristikave – si raca, feja ose gjinia – dhe që “mund të kërcënojë paqen sociale”.
Ky trend është në rritje sipas drejtores ekzekutive të D4D-së, Rezarta Delibashzade-Krasniqi.
“Zakonisht, kur kemi të bëjmë me vendime më të mëdha politike, kemi raste të tilla që bëhet më e shpeshtë gjuha e urrejtjes. Sa herë që ka zgjedhje, fillon fluksi më i madh i gjuhës së tillë ndaj grave”, thotë ajo.
Delibashzade-Krasniqi thotë se shumë gra nuk e kanë forcën e Stubllës për të vazhduar, përkundër komenteve negative që marrin. Këtë e tregon, sipas saj, edhe mungesa e vullnetit të grave në zona rurale për t’u marrë me politikë.
Sipas një hulumtimi të zyrës së organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë, gratë në Kosovë “tregojnë një nivel jashtëzakonisht të ulët të motivimit për pjesëmarrje politike”.
Sa janë të gatshme gratë për t’u përfshirë në politikë?
Sipas të dhënave të organizatës Friedrich-Ebert Stiftung, gratë në Kosovë nuk tregojnë gatishmëri të lartë për t’u përfshirë në politikë. Për shembull, vetëm 23 për qind e të anketuarave thanë se do të merrnin pjesë në një protestë për ndonjë ngjarje politike.Duke marrë parasysh nivelin e ulët të interesimit të grave për përfshirje në politikë, Delibashzade-Krasniqi nga D4D thotë se gjuha e urrejtjes në rrjete sociale, “po e dëmton mjaft shumë vendin, duke i bërë gratë edhe më hezituese për angazhim në politikë”.
Sipas saj, përfshirja e edukimit medial si lëndë në sistemin shkollor do t’i edukonte të rinjtë se si të silleshin në botën virtuale, ndërsa thotë se mediat duhet të jenë më të kujdesshme me përmbajtjen që publikojnë.
“Është një numër i caktuar i mediave që, për shkak të clickbait-it [përmbajtje që ka qëllim kryesor tërheqjen e vëmendjes], bëjnë lëshime në tituj dhe përmbajtje që nxisin gjuhë të urrejtjes. Kështu që u bëjmë thirrje mediave të respektojnë kodin etik të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë”, thotë drejtorja e D4D-së.
Rrjetet sociale – si Facebook, Instagram dhe X – kanë rregullat e tyre për gjuhën që mund të përdoren në këto platforma, e që e ndalojnë gjuhën e urrejtjes.
Mirëpo, Valon Kerolli, strateg i rrjeteve sociale, ka deklaruar më herët për REL-in se është vështirë të kontrollohen komentet në rrjete sociale – veçanërisht për gjuhën shqipe, e cila nuk mund të identifikohet lehtësisht nga inteligjenca artificiale.
Komente të tilla me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes kanë qenë të dukshme edhe pas rasteve të vrasjeve të grave nga partnerë apo familjarë të tyre. Në këto raste, shumë komentues kanë akuzuar viktimat se ato kanë nxitur dhunën e shkaktuar ndaj tyre.Për Besarta Breznicën, zyrtare e programit për trajtimin e dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK), gjithçka nis nga mendësia e komentuesve.
“Padyshim që njerëzit do të kenë gjithmonë komente negative dhe komente që i fajësojnë gratë, për shkak se po jetojmë në një shoqëri patriarkale. Gratë, në çdo send, shihen fajtore dhe nuk kanë përkrahje”, thotë Breznica.
Sipas saj, një hap për ta bërë hapësirën publike virtuale më mikpritëse për gratë, do të ishte që Policia e Kosovës t’i trajtonte më me seriozitet rastet e kërcënimeve përmes komenteve në rrjete sociale.
“Gratë nuk janë të mirëpritura në hapësira publike, të dominuara nga burrat, njëjtë qysh janë të rrezikuara edhe në ambiente private”, thotë ajo.Më herët, Policia e Kosovës i ka thënë REL-it se rastet e ngacmimit apo bullizmit evidentohen sipas Kodit Penal.
Mirëpo, Kodi Penal i Kosovës nuk ka ndonjë nen të veçantë për kryerjen e kësaj vepre në rrjete sociale, gjë që bën që numri i këtyre rasteve të mos dihet saktësisht.
Neni 182 përcakton ndëshkimet potenciale për ngacmim, që përkufizohet si vëmendje apo komunikim me qëllim të “ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes”. Në këtë pikë përfshihet edhe dërgimi i mesazheve telefonike.Stublla thotë se është e vetëdijshme se shumë gra të tjera mund të hezitojnë të përfshihen në skenën publike, shkaku i rrezikut të gjuhës së urrejtjes, por shpreson se ato, gjithnjë e më shumë, do t’i sfidojnë paragjykimet.
“Nëse ti beson se diçka është në të mirën e përgjithshme, duhet ta mbrosh atë kauzë me çdo kusht. Përndryshe, do t’ua vërtetosh fjalët atyre komentuesve”, përfundon Stublla./REL