Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për rastin Balluku nga mazhoranca po trumbetohet si provë e funksionimit të rendit kushtetues në Shqipëri. Madje, disa analistë afër mazhorancës kanë shkuar deri aty sa këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese e kanë etiketuar si vendimin që ndërpreu një “puç kushtetues” të gjyqësorit mbi ekzekutivin. Ky interpretim është, në rastin më të mirë, naivitet juridik dhe, në rastin më të keq, keqdashës ndaj vetë konceptit të shtetit të së drejtës.

Gjykata Kushtetuese nuk ka as kompetencë dhe as mision të pastrojë statuse penale individuale, e aq më pak të neutralizojë përgjegjësinë politike që lind jashtë dhe përtej normës kushtetuese.

Fakti juridik është i thjeshtë dhe i pakontestueshëm: Belinda Balluku është nën hetim penal si e pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe ndaj saj është në fuqi një masë sigurie gjyqësore penale që kufizon lirinë e lëvizjes jashtë vendit. Ky fakt nuk është as opinion politik, as interpretim opozitar, por realitet procedural i sistemit penal shqiptar. Çdo tentativë për ta relativizuar përmes vendimeve kushtetuese përbën keqinterpretim të rrezikshëm të ndarjes së pushteteve.

Këtu lind problemi thelbësor: konfuzioni i vazhdueshëm mes ligjshmërisë formale dhe legjitimitetit politik. Një demokraci funksionale nuk matet vetëm me faktin nëse një zyrtar “lejohet” të qëndrojë në detyrë, por nëse duhet të qëndrojë. Dhe ky “duhet” nuk përcaktohet nga Kodi Penal, por nga standardet e qeverisjes së mirë, etika publike dhe përgjegjshmëria institucionale.

Në këtë kuptim, vazhdimi i ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga një zëvendëskryeministre nën akuzë për menaxhim të padrejtë të fondeve publike përbën devijim serioz nga praktikat demokratike europiane. Nuk ka nevojë për precedentë shqiptarë; mjafton të shihen standardet minimale të vendeve që Shqipëria pretendon t’u bashkohet.

Argumenti se “drejtësia duhet të flasë e para” është i pasaktë në planin politik. Drejtësia flet në sallën e gjyqit. Politika flet përmes dorëheqjes. Këto dy procese nuk përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, në demokracitë e konsoliduara ato funksionojnë paralelisht. Kur politika refuzon të veprojë, ajo nuk mbron parimin e prezumimit të pafajësisë, por prodhon perceptimin e mbrojtjes së pushtetit.

Nga ky këndvështrim, sjellja publike e zonjës Balluku si triumfatore, shfaqjet politike dhe aktivitetet demonstrative të mbështetësve të saj në zonat ku ajo ka influencë politike, si Dibër, Fier dhe Lushnjë, janë sinjale sfiduese ndaj procesit hetimor; nuk janë sjellje neutrale, as të pafajshme, apo aq më pak shprehje respekti ndaj drejtësisë së vendit të saj. Ato përforcojnë idenë se pushteti ekzekutiv po përpiqet të ushtrojë presion mbi drejtësinë, duke minuar besimin publik në pavarësinë e saj.

Në planin ndërkombëtar, pasojat janë edhe më të qarta. Një vend kandidat për Bashkimin Europian nuk vlerësohet mbi bazën e deklaratave politike, por mbi sjelljen reale të elitave të tij qeverisëse kur përballen me hetime penale. Tolerimi i një situate të tillë dërgon sinjal të gabuar: se lufta kundër korrupsionit është selektive dhe se standardet ndryshojnë sipas peshës politike të individit.

Në këtë kontekst, dorëheqja e Belinda Ballukut nga funksionet ekzekutive nuk është opsion, por domosdoshmëri institucionale. Ajo nuk paragjykon fajësinë, nuk ndikon në procesin penal dhe nuk përbën pranim përgjegjësie juridike. Ajo përbën vetëm një gjë: respekt minimal për parimin e ndarjes së pushteteve dhe për dinjitetin e shtetit.

Çdo zgjedhje tjetër-qëndrimi në detyrë, viktimizimi politik apo instrumentalizimi i vendimeve kushtetuese e përkeqëson pozicionin e saj dhe rëndon mbi qeverinë që përfaqëson. Në vend që të mbrojë stabilitetin institucional, ajo prodhon erozion të legjitimitetit politik.

Në demokracitë serioze, krizat e tilla zgjidhen pa zhurmë, pa spektakël dhe pa justifikime. Zgjidhen me një akt të thjeshtë, por të fortë: largimin nga pushteti për t’i lënë drejtësisë hapësirën që i takon. Nëse ky akt nuk ndodh, problemi nuk është më individual. Është sistemik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb