Përshkallëzimi i fundit ushtarak midis Iranit dhe Izraelit nuk erdhi si një surprizë e plotë.
Dy fuqitë rajonale janë angazhuar në një “luftë në hije” që zgjat prej disa vitesh – duke sulmuar asetet e njëra-tjetrës pa pranuar përgjegjësinë.
Megjithatë, që kur shpërtheu lufta në Gaza, këto sulme janë shtuar. Në shtator të vitit të kaluar, Izraeli vrau udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe në tetor vrau udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar, i cili konsiderohet si arkitekti i sulmeve të 7 tetorit. Këto dy grupe janë përfaqësuesit më të ngushtë të Iranit në rajon.
Teherani, nga ana e tij, lëshoi më shumë se 180 raketa drejt Izraelit tetorin e kaluar, shumica e të cilave u kapën në ajër.
Izraeli reagoi me sulmet e veta ajrore – por gjatë muajve të fundit, operacionet ushtarake ishin qetësuar.
Izraeli ka thënë vazhdimisht se Irani përbën një kërcënim ekzistencial për mbijetesën e tij – ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit ka përdorur fraza të tilla si “tumor kanceroz” për të përshkruar Izraelin.
Izraeli është i shqetësuar se Irani po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore dhe thotë se objektivi i operacionit aktual është infrastruktura e tij ushtarake, duke përfshirë edhe vendet e infrastrukturës bërthamore.
Ndërsa Irani mohon se ndërton armë bërthamore – por shumë vende perëndimore nuk janë të bindura. Të enjten, organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së e gjeti Iranin në shkelje të detyrimeve të tij për mospërhapje.
Uashingtoni dhe Teherani duhej të rifillonin bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit të dielën, por tani, bisedimet janë anuluar , sipas ndërmjetësit Oman.
