Deputeti Agron Gjekmarkaj ka rrëfyer në mënyrë satirike, atë që ndodhi sot në Kuvend në atë që ai e quajti si “mërzia e një dite me gropa”.

Në shkrimin e tij deputeti demokrat ka rrëfyer perspektivën e tij të shoqëruar me tone ironie dhe sarkazme lidhur me reagimet e ministrave e deputetëve në Parlament.

Kronikë: Ardhja e Babos dhe mërzia e një dite me gropa.

Vështirë të thuash si dita nisi, si bitisi po! Buzë darke u hap lajmi “po vjen Babo po vjen Babo” e aman falë i qofshim zotit ç’të shihje?!
U ngritën të gjithë në këmbe nga kafja e Parlamentit dhe u nisen me yxhym për të dalë kush i pari të mbërrijë në sallë. E vogël ajo dreq porte! Shtyheshin , shkelnin mbi trupat e njëri-tjetrit. Damo si më i fuqishëm nga palestra shtynte Taon. Toni kapte prej mënge Braçen që të kalonte Tao. Ai i hakërrehej “ça bën mi ça bën e mban veten dhe njeri Perëndie pse bën me hile?”
Klosi i vinte sterkëmbëshin Shalsit duke përfituar nga fakti që shëndetlig ka qenë së fundmi.
Çuçi me Ulsiun mbanin mjekrën me dorë mos jua shkulte turma përgjatë asaj rendjeje. Xhemali me Nasipin tentuan të dilnin nga dritarja por ishte me hekura.
Më i zgjuar u tregua Niko me Etjen Xhafajn që u futen barkas dhe fap u panë në anën tjetër. Antoneta Dhima mbante mbi supe Zonjën Bozdo e ndihmuar nga Ben Pellumbi.
Nuk kuptohej në ishte truk për të përfituar vete apo ndihmë për të moshuarit.Potere e zallamahi , sherr e shamatë kush të mbërrinte i pari. Tit Vasili i shihte vëngër dhe thoshte ashtu ju pafsha kokat hëngshi.
Për gëzim të përgjithshëm Babo erdhi prej se vërteti por nuk na qerasi me fjalim.

Të kthehemi në mëngjes !Prit e prit që të hapej seanca e hiç. Nuk fillonte. Deputetet vinin ngadalë. Jorida e cila gati e shndërroi Çyrben në poet lirik i cili si Orfeu në shkallet e Kuvendit desh shpërtheu në vargje me në fund erdhi.
Çyrbja filloi të ndërtonte metafora aq sa me shkaktoi xhelozi. Tabaku e përqendruar si gjithmonë mbi vetveten dëgjonte zërin e vet të kadiftë që kumboi tre a kater herë gjatë orëve në mbrojtje të vegjëlisë. Ibrahimi tundte kokën, buzëqeshte, qeshte dhe kafshonte buzën qe i dridhej për ta bërë terbiet. Salianji xhymert i lindur që herët mi ra telefonit. Eja të pimë kafe tha. Shkova. Kur ç’të shihja tavolina plot me petulla, mjaltë, qumësht, lëngje frutash, proshutë! Ç’janë këto more i uruar i them. Do hamë tha sa të të dalin tëmthat vendit se unë që paguaj gjithmonë, një herë harrova të fus dorën në xhep e me nxore namin. Me pas me dha edhe një kaçile me veze fshati e dy shporta patate me vete, ca qepe e do mish të thatë. Sakën se fut më dorën në xhep se të bëra hasem mu hakërrye. Do shkojë lart e më lart ky djalë mendova me këtë bujari.

Bela sot i kishte kompleksuar gjitha gratë e qeverisë. Shumë enigma fshihte në ondet e shumta të flokëve që misterioze e bënin pamjen. Shtiu nja dy herë për të mbrojtur zërin e Babos dhe ndenji rënde sa Ulsiu nuk guxoi ta shihte në sy. Niko i çoi një kafe të cilën ajo e rrufiti ngadalë.
Por edhe Teta Gerta të cilën e dija shpirtdhembshur, të pazonjën që ta kandisë inatin kaq gjatë, kishte blerë një xhakete të re me jelek plot sumbulla fakt ky që e gëzoi qamet Boren. Olta e cila është mësuar të bëje diplomaci nuk po më negocion dot paqen me Tetën mëria e se cilës po ma shpon xhanin si turjelë. Aty ku rri Margeri kishte rëne tisi i natës nga vendi bosh. Nuk të behej të ngrije kokën, thithetimë Niko dhe Tezja si dy gur varri nuk pipëtinin.
Toni sot shpalli misionin e ri për të bërë zap të keqen dhe për të promovuar të mirën në një fjalim fatidik . Gati e besonte dhe vete. Mbase Babo pas 14 Majit bën zamet për atë dhe Ben Pëllumbin ndonjë ylyfe.

Mimi di Puccini erdhi vonë por s’ka rëndësi kur kjo ndodh. Historia hap derën kur ajo vjen dhe e mbyll kur ajo ikën. Etjeni nuk pat kurajo të kërkonte rrëfenja. U mjaftua me dy tregime të Lavdrim Krashit për Londrën. Etilda ngjante e sapo dalë nga një opera klasike ku solemniteti i ngjyrës së zeze dhe melankolia e qëndrimit meritonin herë pas here psherëtima.
Shalsi vendosi të flasë sot duke i vënë frazat mullar i cili mbet pa maje. Gazment Bardhi pasi vula po i prish gjumin e natës sajdiste herë një herë një tjetër por mua ka ca muaj që me rri rënde duke me shkaktuar plagë në ndërgjegje teksa mendoj ku paskam gabuar.
Ermua kishte veshur një xhaketë të bukur me ngjyra arlekini dhe kur kishte mundësi ja çonte nervat kujtdo që i dilte përpara gjatë drejtimit të seancës. Luan Baçin do ta shndërrojë në patjetër në Luan Boçi paçka se shpesh përpiqet ti mbushe mendjen që e ka Baçi, ajo Boçi të thom.
Kryezevendes Lideri po bëhet gjithnjë e më serioz. Ai sot shikimin e kishte të serte e mendimet e thella. Atëherë kur i kisha humbur shpresat me lëshoi një selam. Ndonëse është ngjitur lart ka ruajtur thjeshtësinë. Ndërsa Albana kishte ndjerë pranverën në çdo skaj. E shihja me mall dhe mendoja kam ëndërruar gjithë jetën të bëhem vartës i saj në parti dhe tani që ëndrra mund të bëhet realitet s’kam guxim ti jap jetë asaj. Dash Sula luftëtari i betejave epike me zhgënjeu shumë sot. Mu duk sikur dheu me rrëshqiti nën këmbe kur që në sabah e gjeta tek hargalisej më një grup deputetesh socialistë. Pikërisht ai për të cilin mund të bëje be. Ftuam Laert Duron ta bëjmë pjesë të kronikes. Iku më vrap. Amanëni tha në kini Zot me lini në paqe! Një here me tha Babo nuk do shkosh më në gjueti për keca dhe desh me ra damllaja. Tensioni 200. Kosta i Gramozit Lindites e me zemer dhe i Babos desh qau se helbete është i ndjeshëm. Me Isuf Çelen pimë një redbull si qerratenj i cili na hoq pezmin e një dite me gropa pa ngjarje pa maja, pa debat ku krejt si mërzia e Xheles për Kamzën që ja hoqën duart që hajer mos bëfshin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: