TIRANE- Analisti Andi Bushati ka komentuar votimin e ministrave teknikë mbrëmjen e djeshme në seancën e jashtëzakonshme plenare dhe qëndrimin e deputetit Blushi dhe atyre të LSI. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Bushati tha se deputetët e LSI me votat e tyre treguan pakënaqësitë nga marrëveshja Rama-Basha.

Sakaq, ai ka shtuar se më i kënaquri nga kjo marrëveshje duket të jetë kryeministri Edi Rama.
“Votimi nuk kishte të papritura sepse që kur u nënshkrua marrëveshja, pritej që votimi të ishte formaliteti. Interesant ishte fakti sesi marrëveshja u përkthye në miratimin e ligjeve. Dhe pastaj edhe fjalët e mbajtura në Kuvend ishin ndryshe. Po të zbrisje nga Hëna mbrëmë shihje një Kuvend ku kishte 130 vota në një krah, dhe 10 nga krahu tjetër, ku veç Blushi bënte opozitën. U panë deputetë socialistë që duartrokisnin Berishën, e deputetë demokratë që ishin të kënaqur me fjalimin e Ramës. Padyshim u panë edhe deputetët e mërzitur. Vota e LSI nuk ishte një votë për të mbrojtur ministrin Vasili, por ishin për të shprehur një lloj pakënaqësie jo vetë për paktin që u arrit, por edhe ato pjesë të pathëna të paktit që ne nuk i dimë. LSI këtë marrëveshje e ka përjetuar si në dëm të saj”, – argumentoi Andi Bushati.

Sipas tij “më i kënaqur nga një marrëveshje duket se është Rama. Deri pak ditë më parë ai rrezikonte ët ishte një kryeministër i një vendi me njerëz të pakënaqur, një kryetar partie që do shkonte në zgjedhje pa opozitën. Kjo marrëveshje duket sikur është për të ricikluar të njëjtën kastë politike. Duket sikur qytetarëve u thuhet që ju nuk keni çka zgjidhni tjetër, veç PD dhe PS”, u shpreh analisti Bushati.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: