I ftuari i radhës në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi. Sikurse të ftuarit e tjerë të programit ai rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive dhe bëri një rrëfim për jetën e tij profesionale, por edhe për atë private.

Andi Seferi ka lindur në Vjenë dhe gjatë bisedës tregoi se ka qëndruar aty deri rreth moshën 5-vjeçare pasi babai i tij kishte marrë një emërim shërbimi. Nënkryetari tregoi se është shumë i lidhur me familjen dhe tha se ata, prindërit, familja e tij dhe e vëllait, jetojnë të gjithë bashkë në një vilë trekatëshe. “Kemi një lidhje jo thjesht vëllazërore. Jemi shumë të lidhur, jemi gjithë kohën bashkë”, u shpreh ai për lidhjen me të vëllanë.

Seferi foli edhe për marrëdhënien që ka me kolegët dhe tha se në Bashkinë e Tiranës përveç punës, të gjithë kanë një marrëdhënie shumë miqësore me njëri-tjetrin dhe merita më e madhe për këtë është e kryetarit. “Është një super vlerë e kryetarit që di të menaxhojë dhe momentet e bukura”, tha ai, teksa për marrëdhënien që ai ka me Erion Veliajn, tha, “Është mik i mirë, një drejtues i mirë, një shok i mirë, një person i familjes”.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Seferi ka dhënë një kontribut të çmuar gjithë luftës së Kosovës, por edhe pas saj. Ai tregoi se gjatë luftës ka qëndruar në Kukës dhe dy ditë pasi lufta mbaroi ka shkuar në Kosovë dhe ka ndihmuar në rimëkëmbjen e vendit.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës foli gjatë programit edhe për familjen e tij të bukur që ka krijuar. “Denada është bashkudhëtarja ime, kemi qenë shokë, miq, të dashur, të fejuar dhe më pas u martuam. Në çdo hap ka qenë një shoqe e mirë, një person me të cilën konsultohem e ndajmë gjithçka”, tha ai për bashkëshorten e tij. Ata janë bekuar me dy fëmijë, vajza studente për arkitekture, ndërsa djali është 15 vjeç.

Lidhur me “Tirana Kryeqyteti i Sportit”, ai tha se edhe viti 2023 sikurse viti i mëparshëm do të jetë një vit i mbushur me shumë aktivitete, fokusi i të cilave këtë herë do të jetë te sporti, por edhe aktivitetet në fusha të tjera nuk do të mungojnë në kryeqytet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb