Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani, në vijim të turit të tij rajonal, po zhvillon sot një vozitë në Kosovë, ku do të takohet me liderët politikë ne vend.

Në një konferencë të përbashkët me homologen Donika Gërvballa, ai u shpreh se qëllimi i turit rajonal, është ndarja e ideve mbi punën që duhet të bëhet për të mirën e rajonit.

“Vizita ime është pjesë e një turi në disa vende të rajonit, që ka për qëllim ndarjen e ideve në punën që duhet të bëjmë së bashku për të mirën e rajonit dhe qytetarëve tanë. Rajoni është duke kaluar një moment delikat, jemi të gjithë dëshmitarë që siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara se në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit”, tha Hasani.

Ministri i Jashtëm vlerësoi liberalizimin e vizave për Kosovën, si një hap tejet pozitiv për Kosovën dhe rajonin.
Hasani foli në veçanti edhe për sulmin ndaj policisë në veri të Kosovës.

“Ishte akt kriminal dhe i rrezikshëm terroristë kundër stabilitetit, integritetit dhe pavarësisë së Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejmë të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha Hasani.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, tutje shtoi se Kosova e ka aleat të përjetshëm Shqipërinë, derisa pati edhe një mesazh për Serbinë dhe kërcënimet e saja përmes dërgimit të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën.

“Kosova ka një aleat të përjetshëm dhe të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në të mirë dhe në të keqe Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës dhe pranë shqiptarëve të Kosovës. Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon dhe në kufi të Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje të gjithë akterëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21 se nuk i qohen ushtri më të kufiri fqinjëve dhe askush nuk duhet të vazhdoj më këtë lojë që është qesharake se të gjithë e kemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë”, tha ministri Hasani.

Kryediplomati u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike, ndërsa ka shtuar se integrimi rajonal në BE është mënyra e vetme për të garantuar paqen e stabilitetin e Ballkanin Perëndimor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb