Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisander Hoxha, duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike në vend, duke deklaruar se partnerët ndërkombëtarë mbështesin krijimin e një qeverie tranzicioni në Shqipëri.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha thekson se Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pa kushte një qeveri që zbaton parimet demokratike, garanton shtetin e së drejtës, lufton korrupsionin dhe siguron zgjedhje të lira.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka dëshmuar se është në kundërshtim me këto parime, duke e cilësuar atë si “mburojë të korrupsionit” dhe duke e akuzuar se vendos interesin personal mbi interesin e republikës.

“Edhe partnerët do të flasin qartë, sepse Edi Rama është politikisht i mbaruar. Vendi ynë do të ketë një qeveri tranzicioni apo besimi brenda kësaj pranvere. Jemi në metrat e fundit të një rrugëtimi të vështirë stabilokratik, por ia dolëm. Mirënjohje për çdo opozitar, për çdo patriot dhe qytetar aktiv që me aksionet dhe sakrificat e tyre mbajtën gjallë shpresën në këtë vend”, shprehet Lisandër Hoxha.

Reagimi
Sot nuk dua të komentoj protestën, sepse ajo që pamë ishte e qartë për këdo. Sot duhet të shpjegojmë se ku ndodhemi politikisht. Për mua, Europa dhe SHBA mbështesin pa kushte një qeveri që zbaton parimet demokratike dhe shtetin e së drejtës. Partnerët mbështesin një qeveri që lufton korrupsionin dhe garanton zgjedhje të lira. Edi Rama ka dëshmuar se është kundërshtar i këtyre parimeve.

Ai tashmë është bërë mburojë e korrupsionit dhe është i gatshëm të dëmtojë republikën në emër të interesit personal. Shqipëria nuk mund të jetë korridor mafioz korrupsioni me mungesë të theksuar të zbatimit të ligjit ndaj krimeve të qeveritarëve. Ky vend ka një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik që nuk mund të shpërdorohet. Për këto arsye, partnerët do të ushtrojnë presion publik për një qeveri tranzicioni.

Një qeveri që lufton korrupsionin dhe ndihmon vendin të çlirohet nga ndikimi i parave në zgjedhje. Një qeveri që vendos një standard të ri demokratik në vendin tonë. Kam besim se shumë shpejt do të kemi vizita të rëndësishme në vend. Edhe partnerët do të flasin qartë, sepse Edi Rama është politikisht i mbaruar. Vendi ynë do të ketë një qeveri tranzicioni apo besimi brenda kësaj pranvere. Jemi në metrat e fundit të një rrugëtimi të vështirë stabilokratik, por ia dolëm. Mirënjohje për çdo opozitar, për çdo patriot dhe qytetar aktiv që me aksionet dhe sakrificat e tyre mbajtën gjallë shpresën në këtë vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb