Një nga çështjet më të debatuara në zgjedhjet e fundit ishte vota e Diasporës, sidomos zarfeve që erdhën nga Greqia, për të cilat ende nuk është vendosur nëse do të numërohen.
Anila Hyka, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës, e ftuar në LOG. në News24, u shpreh se pjesëmarrja e Diasporës i kaloi pritshmëritë. Ndërsa sa i takon votës së shqiptarëve në Greqi, nëse vërtetohen pretendimet e PD-së, e cënon këtë proces.
“Për ne, votimi nga Diaspora, ishte një sukses, përtej gjithë pengesave, si proces i ngadaltë. Kur u implementua, shqiptarët kishin vetëm 1 muaj kohë. Megjithatë, numri i aplikimeve ishte i madh, 250 mijë. I ka kaluar pritshmëritë, hapi tjetër është përmirësimeve.
Ajo që ndodhi me Greqinë ishte kontestim i PD, që pretendon se janë dërguar me dorë dhe jo me postë, duke i mbledhur zarfet bashkë. KQZ mori një vendim për shtyrje të numërimit. Nëse ka pasur shkelje, atëherë do të ketë sanksione.
Është një proces i komplikuar, DHL ka përdorur një kompani nënkontraktore. Nëse vërtetohen se janë dorëzuar në bllok, kjo e cënon procesin. Nuk ka rëndësi se çfarë nënshtetësie ka personi që ka shkelur manualin se si do dorëzohej zarfi” – u shpreh zonja Hyka.
(BalkanWeb)
