TIRANE- Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë Angela Merkel do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë ditën e mërkurë, 8 korrik 2015. Konfirmimi vjen pas ftesës së bërë nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Berlin dhe shënon vizitën e parë të zonjës Merkel në Shqipëri, njëkohësisht dhe të parën e një Kancelari të Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë.
Vizita e zonjës Merkel shënon një moment të veçantë në marrëdhënien dhe bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, qoftë në kuadrin e politikave rajonale dhe integruese përmes procesit të Berlinit, qoftë në fushën ekonomike dhe tregtare.
Kancelares Federale Merkel do t’i rezervohet ceremonia protokollare më e lartë shtetërore dhe pas bisedimeve zyrtare me Kryeministrin Rama, të dy krerët e qeverive do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kancelarja Federale Merkel dhe Kryeministri Rama do të shfaqen së bashku në Konferencën Ekonomike Gjermano-Shqiptare.
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri Kancelarja Federale Merkel do të takohet edhe me Presidentin Nishani.
Në vitin 2014, operojnë 146 ndërmarrje gjermane dhe të përbashkëta shqiptaro-gjermane nga 121 që ishin në vitin 2010, dukë pësuar një rritje me mbi 20%.
Volumi tregtar me Gjermaninë në vitin 2014 ishte rreth 40.2 miliardë lekë (287 milionë euro) duke pësuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me vitin 2010.
Nga pikëpamja e volumit tregtar, Gjermania në vitin 2014 renditet si partneri i pestë tregtar më i madh me Shqipërinë.
Ndërkohë, Republika Federale e Gjermanisë është donatori më i madh ndër vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri.
(el.sp/BalkanWeb)