Banorët e krahinës së Smokthinës në Vlorë protestuan sërish për asfaltimin e 25 kilometrave rrugë që lidhin 7 fshatrat e zonës, një investim që mungon prej vitesh.
Protestuesit bllokuan për rreth 40 minuta qarkullimin në rrugën kombëtare të Lumit të Vlorës, duke krijuar vështirësi për drejtuesit e automjeteve.
Protestës së banorëve iu bashkuan turistë dhe emigrantë, të cilët thonë se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për qytetarët.
“Rruga është plot me gurë, është e pamundur të kalosh. Udhëtimi zgjati për orë të tëra dhe në një moment makina ngeci në rrugë, u desh ta shtynim. Duhet një rrugë më e mirë që të gjithë të kenë mundësi të shkojnë në fshat, ashtu siç duhet.”
Banorët e Smokthinës paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse nuk marrin një përgjigje nga autoritetet përkatëse.
