Në qytetin e Gjirokastrës ka nisur edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë “Anifest A-Gjiro”. Ky aktivitet shfaq mbi 100 filma për publikun e vogël, të përzgjedhur nga vende të ndryshme, me qëllim nxitjen e vlerave krijuese dhe kulturore.
Organizatorët thonë se ky edicion ofron surpriza dhe risi, duke e kthyer Gjirokastrën këtë verë në një kinema të hapur për të rinjtë dhe fëmijët. Përveç argëtimit, festivali synon të përçojë mesazhe edukative, duke ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë të kalojnë më shumë kohë mes artit dhe kulturës, larg ndikimeve të padëshiruara të teknologjisë.
Ky është vetëm një nga shumë aktivitetet që po organizohen gjatë verës në Gjirokastër, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë të jetës kulturore dhe artistike, me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe të huaj.
(Balkanweb)
