Ankaraja e ka kritikuar politikën e vijës së ashpër të Uashingtonit ndaj Teheranit.

Në kushtet kur bashkëpunimi i Turqisë shihet si jetik në zbatimin e sanksioneve të SHBA kundër Iranit, analistët thonë se në horizont mund të shfaqet një konfrontim i ri.

“Zbatimi i sanksioneve kundër Iranit do të ketë një ndikim negativ në të gjithë rajonin dhe është jashtëzakonisht i rrezikshëm”, tha të premten ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në një intervistë me agjencinë shtetërore turke të lajmeve Anadolu.

Presidenti i SHBA, Donald Trump më parë këtë vit u zotua të zbatojë sanksione të ashpra ekonomike kundër Teheranit pasi u tërhoq nga një marrëveshje ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit.

Analistët thonë se ndërsa Turqia dhe Irani janë historikisht rivalë rajonalë, Ankaraja është e kujdesshme për të mos u përfshirë në ndonjë konfrontim midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Marrëdhëniet turko-iraniane shpesh karakterizohen si një miks i paqëndrueshëm i bashkëpunimit dhe rivalitetit. Turqia e varfër në burime energjie mbështetet tek nafta e Iranit dhe është importuesja më e madhe e gazit natyror iranian. Por këtë javë, Brian Hook, Drejtor për Planifikimin e Politikave në SHBA, tha se nuk do të ketë lëshime për asnjë kompani që bën biznes me Iranin.

Analistët theksojnë se Ankaraja i ka sabotuar sanksionet e mëparshme kundër Iranit. “Që nga fillimi, Ankaraja ka përfituar shumë nga sanksionet, sidomos nën regjimin e ish-presidentit iranian Ahmadinexhad. Turqia ishte një nga dy ose tre vendet që ndihmuan në shmangien e sanksioneve,” thotë eksperti për Iranin, Jamshid Assadi, i shkollës franceze të biznesit Burgundy.

Uashingtoni ruan një mekanizëm të fuqishëm presioni mbi Ankaranë. Autoritetet e SHBA po shqyrtojnë gjoba të mundshme prej shumë miliarda dollarësh ndaj bankave shtetërore turke. Një gjykatë e Nju Jorkut dënoi një punonjës të lartë të Halkbankës Turke për shkeljen e sanksioneve amerikane me Iranin.

Vendndodhja e Turqisë në kufi me Irakun, Iranin dhe Sirinë e bën strategikisht të rëndësishme për Uashingtonin. Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Wess Mitchell e përshkroi Turqinë si “një aleate dhe partnere e rëndësishme”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb