Presidenti Ilir Meta ka renditur 7 arsyet se pse e ktheu Paketën Anti- KÇK Kuvendit i cili e miratoi më 5 mars me shumicë votash.

Meta shprehet se krimi i organizuar nuk është qëllim i përkohshëm dhe nuk mund të luftohet me masa të përkohshme.

 

PJESË NGA ARSYETIMI I PRESIDENTIT ILIR META

Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave;

  • Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
  • Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;
  • Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;
  • Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
  • Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
  • Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.
  • Ky ligj shkel në mënyrë të drejtpërdrejtë nenet 7, 17, 27, 38, 41, 42, 81/2, 83, 101, 116, 136/2, 148/2, 148/dh, 149/ç, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 6 të KEDNJ-së si dhe nenin 1 të protokollit nr.1 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. 
    1. Akti Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, i Këshillit të Ministrave, i miratuar me Ligjin nr. 18/2020 është miratuar në kundërshtim flagrant me nenin 101 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

     

    Në relacionin shoqërues të aktit normativ jo vetëm që mungon sqarimi qoftë formal i nevojës dhe urgjencës për propozimin dhe miratimin e këtij akti, por edhe nga shqyrtimi i qëllimit dhe objektit të nismës, është e qartë se nuk ka asnjë rrethanë faktike, objektive që të kërkonte apo që të legjitimojë ushtrimin e kompetencës që neni 101 i Kushtetutës ia njeh Këshillit të Ministrave.

     

    Përkundrazi, lufta ndaj kriminalitetit në vend është detyrim i përhershëm i qeverisë, ndërsa mekanizmat për gjurmimin dhe pengimin e përdorimit të burimeve të ardhura nga krimi, janë përcaktuar në legjislacionin në fuqi që duhet të zbatohet nga organet e ngarkuara me ligj.

     

    Lufta kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, siç citohet në nenin 2 të aktit normativ, nuk mund të jetë një qëllim i përkohshëm, që kërkon masa të përkohshme.

     

    Masat e përkohshme janë të justifikuara kur pranohet gjerësisht se gjendja është aq alarmante sa nuk mund të përballohet më me legjislacionin aktual dhe se kërkon patjetër ndërhyrje dhe masa të jashtëzakonshme.

     

    Përkundrazi, nevoja për konsolidimin e sigurisë në vend, kërkon masa dhe politika afatgjata, të cilat u vlerësuan në mënyrë të thelluar kur legjislacioni u amendua në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, në vitin 2017.

     

    Në Raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, citohet se: “U vu re se ligji antimafia nuk po funksiononte ashtu siç duhej, si edhe një çoroditje e sistemit gjyqësor dhe i prokurorisë me disa vendimeve, që janë bërë të njohura për të gjithë opinionin publik nëpërmjet medias. Në këto kushte, por edhe për nevojën emergjente deri sa të krijohet struktura e posaçme për investigimin e aseteve kriminale, siç është Byroja Kombëtare e Hetimit, u miratua ky akt normativ”.

     

    Nëse është realizuar një analizë e tillë ex post e mbështetur në fakte, që na tregon se një pjesë e legjislacionit të brendshëm nuk është më efektiv dhe nuk zbatohet, atëherë po mbështetur në një analizë juridike dhe faktike, duhet të:

     

    • propozoheshin një set masash për forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit; dhe
    • nëse këto masa rezultojnë të pamjaftueshme, mund të ndërmerren nisma për propozimin e amendamenteve ligjore, duke respektuar procesin e hartimit gjithëpërfshirës të nismave dhe konsultimit publik të tyre, para miratimit.

     

    Por asnjë analizë e tillë nuk është bërë, duke shkelur hapur parimet kushtetuese dhe duke miratuar një akt normativ jo vetëm në shkelje të kompetencave kushtetuese që i njihen Këshillit të Ministrave, por edhe në shkelje të një sërë funksioneve që Kushtetuta ia ka njohur disa prej organeve të drejtësisë, siç do të evidentohet më poshtë.

     

    Mosrespektimi, në rastin konkret, fillimisht nga Këshilli i Ministrave, i kritereve dhe kufizimeve kushtetuese procedurale dhe lëndore, përbën një të metë të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, po ashtu, një të metë të ligjit që ka miratuar Kuvendi[1].

     

    Përkohshmëria e zbatimit të këtij akti është shpjeguar në Raportin e Komisionit përgjegjës për çështjet ligjore, me momentin e ngritjes dhe funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kjo Byro, me fillimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme, tanimë është në fazën finale për fillimin e veprimtarisë së saj. Kësisoj, edhe nevoja e vetme, edhe pse e pajustifikuar ligjërisht, për rregulla të posaçme, tashmë nuk ekziston më.

    [1] Vendimi nr.5, datë 05.02.2014 i Gjykatës Kushtetuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb