Prej ditës së djeshme ka nisur në terren zbatimi i paketës anti-kçk për goditjen e krimit të organizuar dhe pasurive të paligjshme. Dje Operacioni Forca e Ligjit ka sekuestruar pasuritë e fisit Hajraj në Shijak, anëtarët e të cilit akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se OFL ka 150 punonjës që janë oficerë të policisë gjyqësore dhe agjentë që janë trajnuar prej 6 muajsh. Ata po përpilojnë një listë të marrë nga 12 drejtoritë vendore dhe agjencitë ligjzbatuese partnere për personat e dënuar me formë të prerë për vepra të rënda penale ose të hetuar për to.

Të gjithë këtyre personave u jepet një formular për justifikimin e pasurisë dhe kanë afat për plotësim 48 orë. Konkretisht OFL është duke shpërndarë formularët tek personat e dyshuar për aktivitet kriminal dhe pasuri të paligjshme. Pas dorëzimit të formularëve ata do të shqyrtohen nga OFL dhe më pas vijojnë fazat e tjera të operacionit. Sipas Bezat, oficerët e OFL janë të shpërndarë kryesisht në zonën e Durrësit, Tiranës e Shkodrës.

“OFL vepron në emergjencë kur ka indicie se personi subjekt i aktit normativ mund të kryejë vepër penale apo tjetërson pasurinë. Në këto raste OFL vepron vetëm me firmë të drejtorit të përgjithshëm të policisë e me pas brenda 48 orëve njoftohet prokuroria e posaçme e cila pas 15 ditësh e çon çështjen në gjykatë dhe kjo e fundit brenda 15 ditësh vendos se çfarë do të bëhet me pasurinë. Sekuestroja vendoset për 4 muaj dhe hetimet për të mund të shtohen edhe 4 muaj të tjerë. Më pas gjykata është e detyruar që të marrë vendim për konfiskim apo për kthim tek pronari”, deklaroi Bezat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: